Një person hyri në një shkollë fillore dhe nisi të qëllonte fëmijët me thikë, në një sulm të mbetur jashtë vëmendjes së medias, pasi ndodhi në të njëjtën ditë me masakrën e tmerrshme në Konektikat, SHBA.
Përpara se agresori të neutralizohej, të paktën 20 fëmijë mbetën të lënduar në atë sulm të ndodhur të premten.
Ngjarja ndodhi në pjesën tjetër të globit, në një qytet në Kinën qëndrore.
E megjithatë, ndërsa disa prej të plagosurve raportohen në gjendje kritike për jetën, asnjë prej 22 fëmijëve të goditur nuk humbi jetën.
Siç raportoi “CNN”, merita për këtë nuk i takoi “shpirtgjerësisë” së Zotit, por faktit të vetëm se Kina zbaton një politikë shtrënguese mbi armët, duke mos lejuar qytetarët që të zotërojnë një të tillë.
Ngjarja ndodhi në një kohë kur në SHBA është rihapur më shumë se kurrë debati nëse duhet të vazhdojë të jetë e ligjshme mbajtja e armëve për qytetarët.
”Ndryshimi i vetëm midis rastit të ndodhur në SHBA dhe atij në Kinë nuk është profili i agresorit, as situata, por fakti i vetëm që ai nuk kishte një armë të efektshme për të përdorur”, deklaroi Ding Xueliang, një sociolog i Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong.
”Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zotërimi i një arme është shumë më i lehtë, 9 mijë persona u vranë me armë zjarri në vitin 2012, ndërsa në vende të tjera, si Gjermania apo Kanadaja, u vranë vetëm 170 dhe 150, përkatësisht. Arsyeja është e kuptueshme”, shtoi sociologu.
Ndërkohë, mbrojtësit e liberalizimit te tregut te armeve argumentojnë se ndërsa raste si ai i Konektikatit ilustrojnë rrezikshmërinë e mbajtjes së armëve, armët njëkohësisht janë në gjendje të mbrojnë njerëzit dhe familjet, nga grabitjet me dhunë apo sulmet e tjera ndaj jetës së tyre.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përqindjen më të lartë të zotërimit të armëvenë botë, 88.8 armë për 100 persona, në bazë të vlerësimit të organizatës “GunPolicy.org”.
Renditja pasohet nga Serbia, me 58.2 armë për 100 persona ndonëse armëmbajtja është e jashtëligjshme, Jemeni me 54.8 dhe Finlanda e Zvicra, ku armëmbajtja është e ligjshme, me 45,7 secila.
Top Channel