Rama: Rrugëdalja nga kriza e Shqipërisë

16/12/2012 00:00

I ftuar për të mbyllur konferencën ndërkombëtare “Shqipëria dhe Kriza”, me pjesëmarrje të ekspertëve të ekonomisë vendase dhe të huaj, kryetari  i opozitës, Edi Rama, mbajti një fjalë të gjatë, jo vetëm për atë sesi opozita shqiptare percepton sot krizën ekonomike të Shqipërisë, por më së shumti për rrugëdaljen prej saj.

Edi Rama argumentoi se përse kriza ekonomike shqiptare nuk është pasqyrë e krizës që ka prekur mbarë Europën: “Është përkimi i krizës globale me fazën e shterrimit të një modeli ekonomik rrënues për Shqipërinë. E jo vetëm kaq. Kriza shqiptare është rënduar edhe më sepse pikërisht kur nisi ky përkim dramatik, qeveria shqiptare zgjodhi dritëshkurtësisht t’i sforcojë mekanizmat e amortizuar të ekonomisë sonë në një përpjekje kokëfortë për të mos e pranuar krizën.”

Edi Rama tha se duhet rishikuar në themel modeli ekonomik përmes një rishikimi serioz për rrugën e tranzicionit që ka ndjekur vendi. Kreu i opozitës analizoi të gjithë sektorët, që nga ndërtimi deri tek ai rural, të gjithë në krizë për shkak të mungesës së vizionit për një zhvillim afatgjatë, tha ai, të cilat kanë konkluzionin më dramatik te niveli i borxhit kombëtar.

“Duke llogaritur dhe borxhin e fshehur, ai ka kaluar 100% të GDP-së duke rrezikuar të shndërrohet në një humnerë të thellë për perspektivën e vendit’’, deklaroi kreu i Partisë Socialiste.

Cdo shqiptar, madje edhe çdo foshnjë që do të lindë në 2013, do të ketë një borxh 3 mijë dollarë në vit, apo tri herë më të lartë se në vitin 2005, shtoi kreu i opozitës, i cili përsëriti nevojën për përcaktimin ligjor të kufirit të borxhit. Rama tha se qeveria që premtoi mrekullinë po e lë vendin në humnerë ekonomike që ai premtoi ta udhëheqë drejt daljes prej saj me zotime realiste.

“Unë nuk mund të premtoj se ne do ta shndërrojmë ekonominë brenda natës. Do të na duhet kohë dhe vendosmëri. Unë nuk mund të premtoj se një votë për mua sot, do të garantojë punë për të gjithë nesër. Por mund të premtoj që nëse njerëzit do të na marrin në punë, ne do t’i përkushtohemi me të gjitha fuqitë dhe eksperiencën udhëheqëse së një procesi transformues të qeverisjes për një Rilindje Shqiptare’’.

Top Channel