BE, samiti i fundvitit për ekonominë

16/12/2012 18:30

Një fond për bankat e falimentuara, një fond solidar për shpëtimin e shteteve në krizë dhe marrëveshje për reformën e bashkimit monetar. Këto ishin elementët bazë, për të cilat u ra dakord në samitin e Bashkimit Europian.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, dhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Barroso, kishin bërë shumë plane për takimin e para-Krishtlindjeve në Bruksel.

Ideja e tyre, thotë Deutsche Welle, ishte të krijonin një fond barazpeshimi financiar, i cili do të thithte të ashtuquajturat “goditje asimetrike”, pra dallimet ekstreme ekonomike mes vendeve të eurozonës. Një sistem ky, i ngjashëm me sistemin e barazpeshimit mes shteteve federale në SHBA dhe qeverisë në Uashington.

Por, plani i dyshes u hodh poshtë, sidomos prej shteteve, që u duhet të paguajnë më tepër në arkat e këtij fondi. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i preu hovin Van Rompuy-t dhe Barrosos me deklaratat pas takimit, se mund të pranonte një fond të vogël Solidariteti, me të cilin të shpërblehen vendet që i reformojnë sistemet e tyre ekonomike dhe sociale sipas direktivave të Europës, por jo një fond barazpeshimi financiar.

Megjithatë, dera e mundësive nuk është mbyllur. Franca, Italia e Spanja – vazhdon Deutsche Welle, – e shohin fondin e vogël të Solidaritetit si një hap të parë. Ky duhet të pasohet më vonë nga hapi i dytë, drejt një sistemi të drejtë kompensimi dhe transferimi brenda bashkimit monetar.

Vitin e ardhshëm do të diskutohet për tema të tilla, si borxhet e vjetra dhe huamarrja e përbashkët për obligacionet në euro, edhe pse kancelarja Merkel dëshiron ta shmangë një gjë të tillë.

Bashkimi i borxhit, siç e kërkon Parlamenti Europian dhe disa vende borxhlie, do të jenë në të ardhmen pjesë e një bashkimi monetar të përsosur, besojnë disa eskperte, por kjo nuk ka për të qenë aspak e lehtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA