Venezuela paralajmëroi të premten se komentet e bëra nga presidenti Barack Obama, i cili i përshkruante politikat e presidentit të sëmurë, Hugo Chavez, si “autoritare”, mund të prishin seriozisht marrëdhëniet bilaterale tashmë të cunguara.
Drejtues nga Caracas “kundërshtojnë fuqimisht komentet e egra të presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, në lidhje me presidentin Hugo Chavez dhe Venezuelën”, tha ministri i Komunikacionit, Ernesto Villegas, teksa lexonte deklaratën nga rezidenca presidenciale Miraflores.
“Me komentet e tij të ulta, në një moment kaq delikat për Venezuelën, presidenti i SHBA merr përsipër përgjegjësinë e çuarjes së marrëdhënieve bilaterale drejt përkeqësimit edhe më të madh”, tha ai, duke shtuar se komentet e tij shfaqin “vazhdimësinë e politikës së tij agresive dhe mungesës së respektit kundrejt vendit tonë”.
Chavez është duke u rikuperuar në Kuba, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në fillim të javës, për të hequr kancerin, duke vënë në diskutim të ardhmen e tij.
Chavez udhëtoi drejt Havana-s për operacionin të hënën, pasi zbuloi se kanceri i ishte rikthyer sërish, vetëm 2 muaj pas rizgjedhjes së tij triumfatore për një mandat të ri 6-vjeçar.
Në një intervistë për një media amerikane, Obama refuzoi të spekulonte në lidhje me kushtet mjekësore të Chavez, por tha se e ardhmja e Venezuelës “duhet të jetë në duart e popullit venezuelian”.
“Kemi parë në të kaluarën politika autoritare nga Chavez, duke shtypur çdo disident”, tha Obama.
Top Channel