SHBA, 13 vjet burg gjeneralit kolumbian

15/12/2012 00:00

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka dënuar një gjeneral kolumbian, njeri i afërt me presidentin Alvaro Uribe, me 13 vjet burg për lidhje me grupet paraushtarake.

Gjenerali në pension Mauricio Santoyo, u shpall fajtor për lidhje me grupin Forcat për Vetëmbrojtjen e Kolumbisë, që në vendin latin njihet me inicialet AUC.

Grupi akuzohet për vrasje masive në Kolumbi dhe është në listën e Shteteve të Bashkuara të organizatave terroriste. Gjenerali Santoyo u gjobit gjithashtu me 125 mijë dollarë.

Nga viti 2002 deri në 2005, gjenerali Santoyo ka shërbyer si shef i sigurisë për presidentin e atëhershëm Alvaro Uribe, një tjetër bashkëpunëtor i të cilit u shpall fajtor vitin e kaluar për të njëjtat akuza.

Nga ana e tij Uribe mohon lidhjet me organizatën, që udhëhoqi një fushatë kundër rebelëve të krahut të majtë dhe personave që dyshoheshin se bashkëpunonin me ta.

Gjenerali Santoyo u vetëdorëzua tek autoritetet amerikane në korrik. Në një marrëveshje të arritur me to, ai tha se kishte marrë ryshfet nga AUC në këmbim që t’i vinte në dijeni për operacionet e policisë kundër tyre.

Në disa prej operacioneve në fjalë ishin përfshirë edhe agjentë të Antidrogës amerikane. Santoyo fillimisht hodhi poshtë akuzat për favorizim të trafikut të drogës drejt SHBA, por më pas pranoi përgjegjësinë.

Gjykata e rajonit lindor të Virxhinias, në Aleksandri, pasi shpalli dënimin me burgim vendosi edhe gjobën prej 125 mijë dollarësh ndaj ish-ushtarakut për trafik droge.

Si pjesë e marrëveshjes së paqes të vitit 2003, e negociuar nga qeveria Uribe, shumë liderë paraushtarakë u dorëzuan dhe shpërndanë organizatat e tyre në këmbim të reduktimit të afateve të burgimit dhe mbrojtjes nga ekstradimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB