
Shtetet e Bashkuara u tronditën nga masakra e radhës nëpër institucionet arsimore. 28 persona, mes të cilëve 20 fëmijë nga 5 deri në 10 vjeç ishin viktima të çmendurisë së Adam Lanzas dhe autoritetet po përpiqen të zbardhin lëvizjet e tij në orët para masakrës.
Mediat amerikane shkruajnë se i riu ka rrëmbyer në shtëpi armët që kishte blerë mamaja e tij dhe më pas e ka qëlluar atë në fytyrë duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj, autori është nisur për në shkollën fillore të Njutaunit, ku jepte mësim e ëma.
Ka hyrë në ambientet e saj dhe ka nisur të qëllojë ndaj fëmijëve. Nga breshëritë e plumbave gjetën vdekjen në përpjekje për të mbrojtur fëmijët edhe tre mësuese të shkollës.
Ende është herët për të folur për motivet e masakrës, por besohet se i riu vuante nga çrregullime mendore që pas divorcit të prindërve të tij në vitin 2009.
Tragjedia ka rindezur debatin në Shtetet e Bashkuara mbi ligjin për posedimin e armëve të zjarrit. SHBA njihet si vendi i industrializuar ku lehtësitë për marrjen e një arme janë të papërfillshme, kjo nën një nen tradicional të Kushtetutës që e cilëson këtë të drejtë si e drejtë e personit.
Mediat në SHBA sjellin shembuj dhe shifra tronditëse të jetëve të marra nga armët e zjarrit, pikërisht për shkak të këtyre lehtësive. CNN thotë se mbi 9 mijë amerikanë kanë humbur jetën në vitin 2011 nga armët e zjarrit në Shtetet e Bashkuara, një shifër kjo shumë herë më e lartë po të krahasohet me vendet europiane ku ligjet për armë-mbajtjen janë të ashpra.
Si për rastësi, një sulm i ngjashëm ndaj një institucioni arsimor ndodhi edhe në Kinë, ku një person i armatosur me thikë sulmoi fëmijët e një shkollë. Mbi 20 ishin viktimat e sulmit, thotë CNN, por vetëm dy prej tyre po luftojnë për jetën, ndërsa të tjerët kanë marrë plagë të lehta.
E ndërsa përparësia tani është shërimi i zemrave të lënduara, sic do të deklaronte presidenti Obama, në ditët, javët, muajt apo ndoshta edhe vitet në vazhdim, SHBA do të ziejë nga debatet për ligjin e armëve.
Top Channel