Brazili i druhet rastit të “lopës së çmendur”

15/12/2012 05:00

Brazili është i shqetësuar se frika për një rast të vetëm të sëmundjes së “lopës së çmendur”, rreth 2 vite më parë, do ta detyrojë atë të ulë çmimin e mishit të viçit, pasi Kina, Japonia dhe Afrika e Jugut pezulluan këtë javë importet.

Zyrtarë të bujqësisë në Brazil këmbëngulin se “nuk ka asnjë rrezik, i çdo lloji qoftë, ndaj shëndetit të publikut, apo ndaj higjenës së kafshëve”, nga ai rast i vetëm i sëmundjes së “lopës së çmendur” (BSE), i cili u shfaq në një kafshë, e cila ngordhi në vitin 2010, në shtetin jugor të Paranas.

Gjithsesi, Kina, Afrika e Jugut dhe Japonia, pezulluan importet e tyre të mishit brazilian këtë javë, mes frikës se vende të tjera mund të ndjekin këtë shembull. Analistët brazilianë dyshojnë se vendimi për të shmangur mishin brazilian, mund të detyrojë qeverinë të rinegociojë çmimin e mishit.

“Padyshim që është një situatë negative, e cila gjeneron shumë spekulime dhe disa importues janë gati të përdorin këtë situatë për të rinegociuar çmimet”, tha Hyberville Neto, një ekspert agro-biznesi i “Scot Consultoria”, në Sao Paulo.

Disa të tjerë kanë thënë se rënia e çmimit të mishit pritet të jetë vetëm një shfaqje e përkohshme.

“Kjo krizë mund të përdoret për të ulur çmimet, kështu që e konsideroj thjesht një spekulim. Edhe nëse ndodh diçka e tillë, nuk do të zgjasë shumë”, tha Fernando Sampaio, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Braziliane të Industrisë Eksportuese të Mishit (ABIEC).

Ndërkohë, presidentja Dilma Rousseff, nisi një fushatë informuese për të paralajmëruar efektin domino, i cili mund të dëmtojë shitjet e mishit vendas, edhe pse deri të premten, autoritetet thonë se nuk kanë dëgjuar ndonjë lajm mbi pezullimet e reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA