Lihet në arrest me burg Olsi Iljaz, 34-vjeçari i cili rrahu barbarisht
bashkëshorten e tij shtatzanë. Në seancën gjyqësore e cila u zhvillua në
ambientet e dhomës spitalore të pavionit të kirurgjisë organi i akuzës
ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe
lënien e tij nën masën e sigurisë arrest në burg.
Nga ana tjetër avokati mbrojtës i të pandehurit ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie si shtrimin e tij në një spital psikiatrik. Teksa mbahej i lidhur me shtratin për shkak të agresivitetit që shfaq të pandehurit i është komunikuar edhe vendimi i gjykatës për lënien e tij në arrest me burg.
Sakaq në ambientet e po të njëjtit pavion vazhdon të mbahet edhe Rudina Iljaz gruaja shtatzanë, e cila u rrah barbarisht nga bashkëshorti i saj. Sipas mjekëve gjendja e saj është përmirësuar disi por vijon të mbahet nën trajtim mjekësor.
Top Channel