Në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të premten, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar ministrin e Financave dhe deputetët e maxhorancës për kontributin e dhënë në miratimin e buxhetit të vitit 2013.
Sipas raportimeve të “Express”, ai edhe njëherë ka përsëritur se me këtë buxhet parashikohet rritja e mirëqenies sociale, si dhe ngritja e pagave për kategori të ndryshme, duke përmendur se për cilat kategori bëhet fjalë.
“Është buxheti më i lartë në historinë e Kosovës, është një buxhet i zhvillimit ekonomik, i vazhdimit të qeverisjes së mirë, i krijimit të vendeve të reja të punës, i synimeve tona të rritjes së mirëqenies sociale të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që do të nënkuptonte në vazhdimësi rritje graduale të pagave për kategoritë e ndryshme të shoqërisë kosovare”, ka thënë Thaçi.
Ai ka nënvizuar se në këtë buxhet përfshihen edhe projekte të rëndësishme infrastrukturore, si vazhdimi i ndërtimit të autostradës së kombit “Ibrahim Rugova” nga Aeroporti i Prishtinës në drejtim të Besisë, ku dhe janë ndarë mjetet për vazhdimin e punës.
Gjithashtu, kryeministri ka thënë se është krijuar buxhet i mjaftueshëm për fillimin e punimeve të autostradës tjetër që lidh Prishtinën-Ferizajn-Kaçanikun në drejtim të Shkupit.
“Gjithashtu janë siguruar mjetet e mjaftueshme edhe për vazhdimin e zgjerimit të punimeve në magjistralet Prishtinë-Pejë, pra Gjurgjicë deri në Kijevë, si dhe të asaj nga Millosheva në drejtim të Vushtrrisë dhe Mitrovicës”, ka saktësuar Thaçi.
Ai ka shtuar më tej se shumë shpejt do të fillojë edhe studimi për zgjerimin e magjistrales që do të vazhdojë nga Besia në drejtim të Besianës dhe në drejtim të Merdares.
Top Channel