Katër emra të diplomacisë kosovare do të shqyrtohen nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga dhe nga kryeministri Hashim Thaçi për të zgjedhur emrin më të përshtatshëm në krye të zyrës ndërlidhëse që do të hapet në Beograd.

Emrat e propozuar nga Ministria e Jashtme janë ambasadorë aktualë, si Ylber Hysa, Lulzim Peci, Ilir Dugolli dhe Shkëndije Geci. Procesi i përzgjedhjes së njërit prej tyre pritet të përfundojë brenda pak ditësh.

“Express” duke cituar burime zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme, thotë se përzgjedhja e emrit pritet të ndodhë brenda javës së ardhshme.

Aktualisht, Ylber Hysa është ambasador në Maqedoni, Shkëndije Geci ambasadore në Hungari, Lulzim Peci në Suedi, ndërsa Ilir Dugolli në Belgjikë.

Ndërkohë në Beograd po përfliten dy emra të mundshëm, i pari është Oliver Ivanovic dhe emri tjetër, Milivoje Mihajlovic.

Hapja e zyrave ndërlidhëse respektive mes Kosovës dhe Serbisë bëhet në kuadër të marrëveshjeve që kanë arritur në takimet e tyre dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiç.

Top Channel