Ndërsa partitë politike në Shqipëri i hedhin fajin njëra-tjetrës, për dështimin e tretë radhazi në marrjen e statusit të vendit kandidat nga Bashkimi Europian, vetë Brukseli shndërrohet në një “arbitër” të papritur, i cili fajëson të gjithë klasën politike të vendit.
“Shteti i së drejtës”. Ky është kushti i nënvizuar më shumë se një herë, ky është shteti që duhet të ndërtojë vendi ynë, në mënyrë që të synojë që të fitojë statusin dhe të rreshtohet një ditë përkrah shteteve të tjera europiane, në familjen e gjerë të BE-së.
Integrimi, i konsideruar si “çështja e vitit”, natyrshëm mbërriti në emisionin e përjavshëm të së enjtes, “Top-Story”, në studion e Sokol Ballës, ku debati u përqendrua në dy qëndrimet e kundërta të palëve, të mishëruara nga Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetari i Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati.
Dështimi në marrjen e statusit kandidat
Në nisje të bisedës në studio, Ministrja e Integrimit, Bregu e konsideroi refuzimin e radhës jo si një “dështim”, por shtyrje në procesin e anëtarësimit të vendit. “Në datën 10 tetor, Brukseli dha sinjale pozitive ndaj Shqipërisë. Mosmarrja u bë e qartë që në ditët e fundit të nëntorit, pasi kushti për statusin ishte votimi i tre ligjeve që do të jepnin automatikisht statusin. Në aspektin personal, nga dhjetë tetori, ankthi për aprovimin e ligjeve shtohej dita-ditës, ndërsa opozita gjeti pretekstin e radhës për të sabotuar procesin, nëpërmjet “sebepit” të Fierit. Megjithatë, ky nuk është një dështim i statusit, por humbje e takimit të dhjetorit. Është e rëndësishme për vendin që të përgatitet si duhet për takimin e ardhshëm me BE-në, duke nisur nga miratimi i tre ligjeve që kanë mbetur peng”.
Nga ana e tij, Bushati bëri një panoramë më të gjerë të këtij refuzimi: “Mosmarrja e statusit dhe mosfillimi i bisedimeve për anëtarësimin, kur vjen puna tek rasti i Shqipërisë është një lajm i hidhur. Është një lajm i hidhur pasi kemi të bëjmë me një vendimarrje nga ana e BE-së, që reflekton stadin aktual të shoqërisë shqiptare. Kur flasim për këtë proces, unë gjithmonë kam këmbëngulur se ne këtë proces duhet ta shohim nga pikëpamja e cilësisë së qeverisë dhe jetës së qytetarit në Shqipëri. Çdo shqiptar duhet t’i bëjë një pyetje vetes nëse familja e tij është më mirë se deri disa vite më parë, si është drejtësia, mundësitë e barabarata, papunësia, krimi i organizuar dhe korrupsioni, shëndetësia, edukimi, shërbimet sociale, cilësia e mjedisit, turizmi, bujqësia, procesi i agropërpunimit e pra thënë ndryshe, me ndërtimin e Europës në Shqipëri”, argumentoi Bushati.
“Prandaj, çështja nuk është tek marrja e statusit, një fazë kalimtare e bisedimeve, por krijimi i kushteve të vërteta, që do të ofrojnë vendin me Europën. Kryesorja është të kemi një proces anëatësimi të suksesshëm, si procesi kroat, por ky proces vjen nëpërmjet reformave serioze që përmirësojnë cilësinë e jetës dhe transformojnë të gjithë vendin. Në këtë aspekt, datat dalin në një plan të dytë, pasi ky proces është i bazuar në dy elemente, korrigjimi i defiçitit demokratik dhe së dyti, incentivat që ky proces jep në zhvillimin ekonomik”.
Përgjegjësia e qeverisë
Duke u përqendruar tek përgjegjësia e autoriteteve dhe qeverisë shqiptare në mosmarrjen e statusit të vendit kandidat, ministrja Bregu vazhdoi debatin: “Nuk dua të bëhemi peng i një retorike boshe që evidentojnë vetëm ndasitë mes nesh dhe opozitës. Fare thjesht, dua të bëjmë të prekshëm procesin për qytetarin. A ka ndonjë kënaqësi, që t’i rikthehemi retorikës së drejtimit të gishtit? Asnjë kënaqësi për mua personalisht dhe mazhorancën, pasi e kemi përballur këtë edhe dy vite më parë. Nuk ka siklet më të madh, për përfaqësuesin e një vendi, të shpjegosh tek ndërkombëtarët se çfarë bën një grup mirë dhe se çfarë bën keq një tjetër. Ky është një proces si një shkallë, që do të ngjitemi shkallë pas shkalle drejt Brukselit dhe Bushati gabohet kur thotë se statusi është një gjendje kalimtare e parëndësishme”.
Duke shpjeguar atë që nënkupton ky proces i anëtarësimit dhe kushtet e vendosura nga Brukseli, zonja Bregu shtoi: “Pa dyshim, statusi do të jetë i bazuar në merita, pavarësisht avantazheve gjeopolitike që në disa vende kanë sjellë lehtësim apo efekt të anasjellë të statusit. Në 2010-n, BE na prezantoi me 12 prioritete, të cilat BE mund t’i bënte edhe 24 apo 240, por i bëri 12 pasi preknin çështjet më akute. Asnjëri të mos jetë kaq naiv, sa të mos kuptojë se vendosja kusht e ligjeve me 3/5, u bë nga Brukseli për të bashkuar maxhorancën dhe opozitën. Shembull është edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, i konsideruar kusht nga maxhoranca, pavarësisht se kjo nuk ka lidhje direkte me procesin e integrimit. Ky është një tjetër shembull i asaj që ka dashur të realizojë Brukseli, pra bashkimin e dy palëve politike të vendit. Kam një pyetje se çfarë të keqe kanë tre ligjet, ku e rëndojnë klimën politike dhe përse nuk votohen?”.
Orientimi i bisedës në këtë pyetje të ministres, Basha bëri një vlerësim personal, duke pyetur Bushatin se përse këto tre çështje pa lidhje me Fierin, u kushtëzuan me këtë argument, ndonëse çështja e Fierit lidhet direkt me mbizotërimin e sundimit të ligjit. i pyetur a nuk mund të mbështetej statusi, edhe pa e merituar atë, Bushati dha këtë përgjigje: “Zoti Basha, bëni mirë që keni opinionin tuaj, pavarësisht nëse e ndaj apo jo. Do të doja të filloja nga fundi, atje ku e la zonja Bregu, e cila nuk i rezistoi dot tundimit që të ndajë bisedën në merita dhe faje. Për këtë arsye, dua t’i sqaroj opinionit publik disa gjëra thelbësore. Së pari, ndarja e procesit të negociatave, me statusin, është një proces për t’i ardhur në ndihmë vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nuk është aplikuar më parë me vendet e tjera. Në raport, shkruhet se katër kushte janë realizuar, dy janë në rrugën e duhur dhe gjashtë jo, të cilat janë tërësisht përgjegjësi e qeverisë, pasi lidhen drejtëpërdrejti me korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Duke iu referuar qëndrimeve ndërkombëtare, Bushati hipotizoi se edhe me miratimin e ligjeve, përsëri do të kishte pasur një refuzim nga ana e Brukselit. “ Ambasadorja e Gjermanisë shkruan se edhe po të ishin miratuar, Shqipëria prapë nuk do ta merrte statusin, pasi sundimi i së drejtës, duke nisur nga zgjedhjet, janë një problematikë jashtëzakonisht e madhe. Sot, me paturpërsi, kryeministri deklaron që zgjedhjet nuk janë kusht. Përse nuk përmenden ato tek Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi? Pasi Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk organizon dot ende zgjedhje të lira dhe ky është një kusht thelbësor. Dy janë momentet, që në këndvështrimin tim rëndojnë më shumë mbi qeverinë. Dy detyrat bazë të saj janë, e para të krijojë një ambient sa më të përshtatshëm politik për të prodhuar kompromis dhe së dyti, për të prodhuar një cilësi jete më të mirë për qytetarët. Shikoni se çfarë ka ndodhur, kur mori pushtetin Berisha, që mori qeverisjen në vendin e 84 për korrupsionin dhe na zbriti në vendin e 113-të”.
“ E para, nuk më përket mua në këtë pozicion, të komentoj deklarata personale të ambasadorëve në Tiranë. Për të qenë korrekt me ju, i jam referuar përgjigjes që është publikuar në faqen “Balkanëeb”, ku ambasadorja gjermane, një pyetje të qartë të gazetarit, i përgjigjet në një mënyrë konfuze, pa i dhënë aspak një përgjigje dhe aq më pak atë që pretendon zoti Bushati”, reagoi Bregu. “Kam qëndrimin zyrtar të Komisionit Europian, që thotë votoni tre kushtet në tetor. E dyta, në reagimin e kësaj jave, shkruhet se plotësimi i tre kushteve dhe reforma ndaj korrupsionit do të jenë kushtet për anëtërsimin. PE, nga ana e tij thotë mos vonohet statusi, e të realizohet pa vonëse, sapo të votohen tre kushtet. Zgjedhjet, në mënyrë të qartë nuk përmenden për statusin, por në kuadrin e bisedimeve për hapjen e bisedimeve”.
Korrupsioni dhe besueshmëria e shifrave të “Transparency International”
“Nuk ka dyshim se lufta ndaj korrupsionit është një proces afatgjatë, por unë shtroj pyetjen nëse çështjet e korrupsionit kanë ardhur duke u frenuar apo duke u rritur. Pikërisht, ky trend i rritjes së korrupsionit është më shqetësuesi. Kurba, për Shqipërinë është negative dhe këtë e thotë “Transparency International”, të cilës i referohen pothuajse të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Energjia, spitalet, arsimi, këto janë çështjet korruptive që i referohet progresraporti. Në Partinë Socialiste, kemi denoncime të përditshme për drejtorët e drejtorëve të arsimit të qarqeve, që merren zarfe 5-6 mijë euro për një vend pune arsimtari. Kjo është vetëm një copëz shumë e vogël e të gjitha denoncimeve që na mbërrijnë”.
Sipas ministres Bregu, “Transparency International” (e cila publikoi një raport në të cilin shfaqej një përkeqësim i dukshëm i vendit në renditje për korrupsionin), nuk është një institucion i besueshëm, ndërsa akuzoi opozitën për shtrembërimin e shifrave të korrupsionit. ““Transparency International” është një instrument, që nuk tregon trendin e ndryshimit pozitiv, progres apo regres, por fotografon percepimin publik për çështjen e korrupsionit në një moment të caktuar. Për të mos thënë që Shqipëria ka rënë në mënyrë dramatike, vlerësimi ka mbetur i njëjtë, nga 3.3 një vit më parë dhe 33 tashmë. Vetë “TI” pranon që ndryshimi i perceptimit nuk ka të bëjë me çështjen e reformave dhe luftës ndaj korrupsionit. E para, ne duhet të jemi ata që të vendosim një herë e mirë një lloj qartësie me njëri-tjetrin, pasi “TI” është i përdorur publikisht. E dinë të gjithë kush është përgjegjësi i zyrës lokale i “TI” dhe të gjithë punonjësit janë anëarë të “Aleancës Kuq e Zi”. Çfarë ndodh me këtë “TI”. Para një jave në Bruksel, Fajon ka deklaruar se sa është abuzimi i PE-së me fondet, 120 mln euro. Po të shohesh nga deklaratat, abuzimi me fondet europiane konsiderohet një problem vit pas viti. Kjo do të thotë se çështja e korrupsionit nuk është një çështje shqiptare. Lufta ndaj korrupsionit, është një sfidë për çdo qeveri dhe qeveria shqiptare, nëpërmjet reformave të saj, po redukton gjithmonë e më shumë mundësitë për abuzime”.
Kësaj deklarate të ministres kundër “Transparency International”, zoti Bushati iu kundërpërgjigj duke sjellë për publikun e “Top-Story”-t një numër vlerësimesh të tjera ndërkombëtare, që dëshmojnë edhe ato përkeqësim në renditje për korrupsionin dhe çështje të tjera të rëndësishme. “Departamenti i Shtetit Amerikan i referohet “Transparency International”. Megjithatë, nëse nuk i doni, marrim “Freedom House”. Nëse i referohemi asaj, ku ishte Shqipëria në 2004-n, në vitin e tetë të Sali Berishës në pushtet, është e gjitha e përkeqësuar përsa i përket zgjedhjeve, qeverisjes, në pavarësisë e së drejtës, korrupsionit dhe lirinë e medias. Kjo është Shqipëria në raport me vendet e Ballkanit (dëshmon të dhënat në studio), pasi nuk matemi dot me Gjermaninë e Danimarkën, në të gjitha jemi të fundit. Nuk e duam “Freedom House”. Marrim “Economy Inteligence Unit”, që thotë të njëjtën gjë. Kjo ka të bëjë me cilësinë e qeverisjes zoti Balla. “Bertelsman”, fondacioni i mirënjohur, mbështet të njëjtën gjë. Nuk e duam, marrin Indeksin për Shtetin e së Drejtës, se foli zonja Bregu për investimet e huaja si “CEZ”-, jemi të 71 nga 97 vende. Korrupsioni, të 84 nga 97. Ja pra nuk na qenka vetëm zonja Spahiu që manipulon “Transparency International”, por socialistët manipulokan të gjithë organizimat ndërkombëtarë, përfshi Bankën Botërore. Doni të vazhdoj me të tjera?”.
Nacionalizmi, raportet e ndryshuara me fqinjët dhe Bashkimin Europian
Në pjesën e tretë të debatit në “Top-Story”, bashkëbisedimi në studio u orientua drejt çështjes së nacionalizmit të ringjallur me rasti e 100-vjetorit të pavarësisë. “Nuk i kemi krijuar kurrë probleme të tjerëve, kemi promovuar gjithmonë një ambient të qëndrueshëm në rajon, ndaj kushdo që i thotë vetes shqiptar, askush nuk ka përse të trembet dhe të rreshtohet në rreshtin e albanofobëve, kushdo ata qofshin, përfshi edhe në Parlamentin Europian”, deklaroi ministrja Bregu. “Ne jemi në një marrëveshje me BE dhe zbatojmë detyrimet, por ne votën e marrim në Shqipëri dhe jo në Bruksel. Besoj se ka një argument tjetër që nuk duhet keqkuptuar, fryma më e madhe e pro-shqiptarizmit. Sot nuk ka nevojë të ndryshohen terrene, pasi mund të bëhet e njëjta gjë që bën Franca me Gjermaninë, që ndër shekuj kanë zhvilluar me qindra luftëra. Prandaj, sot kjo nuk ka përse të mos jetë prezente edhe në rajon”.
Në reagimin e kryetarit të komisionit Parlamentar për Integrimin, Bushati shpalosi një qëndrim diametralisht të kundërt. “Më habiti, për hir të së vërtetës, shpërfillja që ministrja i bëri një paragrafi për herë të parë në rastin e Shqipërisëë, që i dedikohet retorikës nacionaliste dhe shmangies prej tyre, që na kërkohet nga BE. Nëse ka pasur në 22 vite, falë kontributit të të gjithëve, diçka të mirë në këtë vend, kjo ka qenë politika e jashtme që ka pasur si prirje stabilitetin. Sot shohim një nacionalizëm pa pikë mëdyshje korruptiv, me disa trajta primitive dhe korruptive, pasi patriotizmi është katandisur në pazar për të qëndruar në pushtet. Nga ana tjetër, një retorikë që për fat të keq drejtohet ndaj fqinjëve dhe një retorikë që nuk e ndihmon vendin, sidomos kur vjen nga goja e kryeministerit, që e bën kryeministrin nga njeriu pro-integrimit europian tek integralisti. Nuk besoj se jam gabim që do të ketë qëndrime edhe nga partnerë të tjerë të rëndësishëm strategjikë mbi këtë çështje dhe mbi veprimet e tij të fundit që kujtojnë Berishën e 1992-97, me të ashtuquajturit dekrete për nënshtetësinë, që dihet kush përfitoi dhe të përjashtuarit më të mëdhenj ishin shqiptarët etnikë. Për të punuar për bashkimin e vërtetë shqiptar, penguesja më e madhe sot për sot është elita qeverisëse në Shqipëri, që është e painteresuar për të hapur Shqipërinë më tej sepse do të humbë privilegjet që ka”.
Top Channel