Në kuadër të asaj që Partia Socialiste e quan Java Sociale, kreu i opozitës Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistë të kryeqytetit, ku dëgjoi problemet që ata ndeshin në përballimin e jetës.
“Së pari, unë nuk besoj se ka në Shqipëri njerëz më të vuajtur për shkak të keqqeverisjes dhe të krizës se sa pensionistët. 70% e pensionistëve jetojnë në Shqipëri me një pension minimal dhe pensioni minimal është vetëm 13.267 lekë. Ndërkohë që shtrenjtimi i jetës është rritur disa herë vit pas viti. Nga viti 2008 deri më sot pensionet në total për qytetin janë rritur rreth 18%. Ndërkohë që çmimet e shportës, e produkteve më jetësore janë rritur 50%. Pra, rritja e pensioneve krahasuar me rritjen e çmimeve është 1 me 3”, deklaroi Rama.
Sipas tij, me fjalë të tjera kjo do të thotë se katër vjet më parë pensionistët jetonin 3 herë më mirë. “E njëjta gjë vlen për të gjithë shqiptarët që përfitojnë edhe rrogë. Në çdo tablet për tensionin apo zemrën, pensionisti paguan një taksë 10%. Ne do ta heqim këtë taksë. Do ta bëjmë 0 TVSH-në e ilaçeve sepse kështu ka qenë më parë dhe sepse vendosja e TVSH-së mbi ilaçet ka rënduar vetëm njerëzit e zakonshëm”, nënvizoi Rama.
Kryesocialisti shpalosi edhe alternativën që ofron PS në lidhje me skemën kontribuese të pensioneve, pasi ajo aktuale sipas tij është drejt falimentimit.
“Ne kemi një bindje se duke rritur numrin e kontribuesve mund të rritet edhe pensioni. Ashtu sikundër kjo është e lidhur me hapjen e vendeve të reja të punës, është e gjitha e lidhur. Nga ana tjetër, raporti kontribuues-përfitues sot është i papranueshëm. Është 1.2 me 1, duhet të shkojë të paktën 2 me 1. Kjo mund të ndodhë vetëm në qoftë se ndërtojmë politikat e reja që nxisin punësimin”, tha Rama.
Top Channel