Ministri serb i Drejtësisë, Nikolla Selakoviç ka njoftuar të enjten se shumë shpejt presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç do të publikojë një platformë për Kosovën.

“Kreu i shtetit në ditët e ardhshme do të publikojë një sërë informacionesh mbi platformën e hartuar për Kosovën”, ka deklaruar Selakoviç për agjencinë e lajmeve “Beta”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ka bërë të ditur se platforma në fjalë është në fazën finale të hartimit dhe se Nikoliç do ta publikojë atë ditën e hënë.

Mediat serbe për momentin nuk janë në gjendje të japin detaje mbi përmbajtjen e platformës, që pritet të zbardhë qëndrimin që do të mbajë Beogradi zyrtar kundrejt pavarësisë së Kosovës.

Jo pak herë qarqe të caktuara të politikës serbe dhe vetë presidenti Nikoliç kanë deklaruar se janë gati të heqin dorë nga anëtarësimi në BE nëse ky proçes kushtëzohet me njohjen e Kosovës.

Edhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe deklaroi muajin e kaluar se, në një rast të tillë Serbia duhet t’i kthejë shpinën Brukselit dhe të afrohet me “miqtë tradicionalë”, si Rusia, etj.

“Duam të jemi në Evropë, por jo duke dhënë tokën tonë të shenjtë, shtëpitë tona dhe varret. Nëse nuk na duan të tillë, ne do të vazhdojmë të jetojmë jetën tonë të vështirë, ashtu siç kemi jetuar edhe para 50 vjetësh“, tha Irinej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA