Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten buxhetin për vitin 2013, me vlerë rreth 1.4 miliard euro të ardhura dhe me një parashikim prej 1.6 miliard euro shpenzime.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave çështja e buxhetit në fjalë nuk ka zgjuar shumë interes tek deputetët e mbledhur në sallën e Kuvendit.

Kryetarja e komisionit të ekonomisë, Safete Hadergjonaj ftoi deputetët që të votonin pro amendamenteve të propozuara dhe pro buxhetit në tërësi.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi deshi t’u jepte fjalën përfaqësuesve të grupeve parlamentare, por kur pa mungesën e interesit vendosi të kalonte direkt në votim.

“Nëse kryetarët e grupeve parlamentare nuk e duan fjalën, atëherë mund të kalojmë në proçedurën e votimit”, deklaroi Krasniqi. Kështu, 64 deputetë votuan pro, 26 kundër dhe 1 abstenoi.

Më pas, deputetët, me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratuan edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA