Qeveria e Kosovës është duke pritur nga qeveria e Shqipërisë që të komunikojë me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, për çështjen e prefiksit telefonik 355.
Kështu ka thënë nga foltorja e Kuvendit, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj, ministria e të cilit detyrohet nga rezoluta e Kuvendit të Kosovës e 6 shtatorit të këtij viti, që të zhvillojë negociata me qeverinë shqiptare në mënyrë që Kosova të mund të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë.
Beqaj ka thënë se tashmë qeveria e Kosovës ka formuar një komision që do të merret me këtë çështje dhe sipas tij, Kosova është e gatshme të marrë kodin e Shqipërisë, por tani i mbetet Tiranës zyrtare që të komunikojnë me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit në mënyrë që ta arsyetojnë këtë.
“I kam dërguar letër ministrit Pollo duke i bërë me dije që ne jemi të gatshëm që ta marrim kodin 355. Konform bisedave që kemi pasur me të, ata e kanë obligim të komunikojnë me ITU-në dhe unë në letrën time i kam kërkuar që sa më shpejt të komunikojmë me të, sikurse ka bërë “Monaco Telekom” më herët. Të arsyertojnë para ITU-së pse duhet të merret ky kod dhe cilat janë arsyet komeraciale e ekonomike në funksion të marrjes së këtij kodi. Qeveria e Shqipërisë tani duhet të komunikojë me ITU-në dhe ata na kanë thënë se shumë shpejt do ta bëjnë këtë. Por sa do të jetë shpejt, cilat do të jenë hapat e tyre, për këto na duhet të komunikojmë me ta, mund të komunikoni edhe ju”, deklaroi Beqaj duke iu drejtuar deputetëve.
Para një muaji, zëvëndësministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani deklaroi për Top Channel se beson që në fillim të vitit të ardhshëm kërkesa do të adresohet në ITU. Sipas Hasanit, puna e komisioneve ndërshtetërore do të përqëndrohet në shqyrtimin e anës ligjore që ka institucioni ndërkombëtar që jep kodin telefonik në mënyrë që të realizohet kjo.
Kosova vazhdon të shfrytëzojë 3 kode të huaja telefonike, të Serbisë, Monakos dhe Sllovenisë. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë Kosova do të mund të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë, 355, derisa të marrë kodin e vet shtetëror.
Top Channel