
Opozita shqiptarëve në Maqedoni ka kërkuar që partia e Ali Ahmetit të braktis Qeverinë, pasi Këshilli i Ministrave të BE-së nuk i caktoi vendit datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.
“Mashtrimi që u bëhet për vitin e pestë, në veçanti shqiptarëve nga e BDI-së për integrim të Maqedonisë dhe premtimi që u është bërë, dje mori një përgjigje konkrete dhe ajo është një dështim fatal për procesin e integrimit. Kërkojmë nga BDI të ndërmarrë hapa konkretë dhe të lëshojë Qeverinë”, dekaroi Ymer Aliu, deputet i PDSH-së.
“Ky koalicion qeveritar dështoi, dështoi BDI në procesin e integrimit. Edhe pse i mori votat e shqiptarëve që të na shpijë në proceset integruese, ajo na la rrugëve”, shton deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri.
Për dallim nga opozita, zv/kryeministrja për euro-integrime Teuta Arifi, ka parë sukses në vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, që u mor të martën për Maqedoninë e ku vendit nuk iu caktua datë për fillimin e negociatave.
“Pas 4 vitesh të status quo-s në këtë proces, dje Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi një kornizë të qartë për negociatat aderuese të Maqedonisë e cila ka rëndësi thelbësore për procesin europian për vendin tonë”, thotë Teuta Arifi, zv/kryeministre për eurointegrime në Maqedoni.
Pavarësisht këtij prononcimi të znj. Arifi, nga vendimi i ministrave të BE-së nuk kanë ngel të kënaqur as disa nga anëtarët e kryesisë së BDI-së, partisë që i takon zv/kryeministrja për eurointegrime.
“Dëshprimi është i madh për shkak se edhe pse u bë një lëvizje përpara apo një avancim nga pika zero ne nuk jemi aty ku pretendoim se do të ishim, Republika e Maqedonisë megjithatë nuk arriti të marë datë për negociata”, shprehet Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.
Maqedonia që në vitin 2005 mori statusin e vendit kandidat, por avancimi i mëtejshëm është bllokuar nga Greqia për shkak të problemit me emrin. Në samitin e mbrëmshëm kundër caktimit të datës për Maqedoninë u shpreh edhe Bullgaria por edhe disa vende tjera të BE-së.
Top Channel