Eurogrupi, pasi ka vlerësuar me nota pozitive lëvizjet e Athinës zyrtare, ka dhënë dritën jeshile për lëshimin e këstit të radhës së ndihmave për Greqinë.
Eurogrupi dha miratimin e tij për lëshimin nga dita e sotme deri në fund të marsit të një shume prej 49.1 miliardë eurosh ndihmë për Greqinë.
“Lëshimi do të nisë menjëherë në ditët e ardhshme”, ka garantuar presidenti i grupit Jean Claude Juncker, sipas të cilit pjesa e parë do të jetë 34 miliardë, një pjesë e të cilave do të shkojë për rikapitalizimin e bankave helene.
Pjesa tjetër e ndihmave do të ndahet në tre këste, lëshimi i të cilave do të bëhet mes muajve janar dhe mars, paralelisht me aplikimin e masave anti-krizë që i janë kërkuar Greqisë.
Ndërsa një lëshim tjetër do të bëhet po në janar për një rikapitalizim të mëtejshëm të instituteve të kreditit, bëjnë të ditur autoritetet financiare nga Eurogrupi.
“Marrëveshja e arritur sot për derdhjen e ndihmave për Athinën shënon fundin e muajve të tërë pasigurie për Greqinë dhe i hap rrugën kthimit të besimit.
Kështu ka reaguar komisioneri i BE për Çështjet Financiare, Olli Rehn në përfundim të takimit. “Kemi treguar që profetët gaboheshin mbi fatin e Greqisë në eurozonë”, ka thënë Rehn.
“Shumë është arritur, por mbetet ende shumë për të bërë për të vendosur siguri në Evropë”, ka thënë ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel, që ka sqaruar se proçesi nuk mund të mbetet në mes të rrugës.
“Reformat po funksionojnë, me pak vështirësi, por ja vlen”, ka shtuar Merkel, duke u bërë thirrje vendeve të goditura nga kriza që të vazhdojnë të ecin në rrugën e reformave.
Top Channel