
“Vetro Energy” njoftoi se është gati të derdhë pagesën e garancisë prej 170 milion eurosh për shtetin shqiptar duke i hapur rrugën privatizimit të “Albpetrolit”.
Lajmi u konfirmua edhe nga vetë aksioneri kryesor i konsorciumit, Rezart Taçi. Ai shtoi se është përshpejtuar edhe data e pagesës prej 850 milion eurosh, hapi përfundimtar që do të transferonte plotësisht Albpetrolin dhe të drejtat e naftës që aktualisht zotërohen nga shteti, në duart e “Vetro Energy”.
Dy ditë më parë Ministria e Ekonomisë deklaroi se do të kalojë në fazën e tërheqjes së garancisë bankare prej 10 përqind të privatizmit, pra 85 milion euro pasi ende nuk ishte derdhur garancia prej 20 përqind (170 milion euro) nga ana e konsorciumit fitues.
Por pak pas deklaratës së METE-s reagoi “Vetro Energy”. Konsorciumi u shpreh i gatshëm të kryejë pagesën e garancisë prej 20 përqind, por më parë kërkoi nënshkrimin e një kontrate formale mes qeverinë shqiptare.
Në Komisionin e Ekonomisë gjatë kësaj jave, zv/ministri i Ekonomisë, Enno Bozdo deklaroi se qeveria ka ndjekur të gjitha hapat ligjore dhe pas ezaurimit të fazës së parë dhe kërkesës së kompanisë së interesuar për një afat të dytë, do të kalohet tek shqyrtimi i ofertës së dytë më të mirë për privatizimin e Albpetrol.
Top Channel