Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar se Kosova është një kusht që Serbia duhet të përmbushë për të siguruar nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti”, Fyle ka nënvizuar se, BE nuk kërkon nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës, por të zgjidhë çështje të tjera me të përmes dialogut dypalësh.

“Ne presim që Komisioni Evropian të vendosë në qershor për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, por me kusht që të përmbushen kriteret e vëna”, ka thënë Fyle.

Këto kritere, ka saktësuar komisioneri, janë financimi transparent i serbëve të Kosovës nga Beogradi dhe normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën.

Dialogu i ri i nisur mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme të BE Catherine Ashton, deri tani ka pasur tre seanca, ku përballë janë vendosur kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

Në takimin e tretë dy palët arritën disa marrërveshje, mes të cilave spikat ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, që nisi zbatimin ditën e hënë.

Top Channel