I dërguari i posaçëm i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar ka deklaruar
se së shpejti Serbia dhe Kosova do të mund t’i zhvillojnë bisedimet mes
tyre pa nevojën e një ndërmjetësi.

Në një intervistë për “Radio Kosova”, Zhbogar ka garantuar se gjithësesi shefja e Politikës së Jashtme të BE Catherine Ashton do të vazhdojë të luajë një rol ndihmues në këtë proçes.

“Të dy kryeministrat ishin të etur për të ndryshuar këtë ‘status quo’, e cila është negative për Kosovën dhe Serbinë dhe përfundimisht jo e mirë për njerëzit, sidomos ata që jetojnë në veri. Kështu që të dy liderët e kapën momentin dhe treguan pak lidership. Dhe tani, kur flasim për raundin tretë të takimit, ne po shohim disa rezultate”, ka theksuar Zhbogar.

Diplomati slloven ka vlerësuar nisjen e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, ndonëse ka nënvizuar se rreth çështjeve doganore ka ende disa aspekte që duhet të zgjidhen.

Një tjetër lajm i mirë që ambasadori ka dhënë për Kosovën ka qenë bindja e tij se, BE së shpejti do të fillojë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ndër të tjera, Zhbogar i ka premtuar kryeministrit Thaçi se së shpejti do të qartësojë rrjedhjen e bisedave të përgjuara telefonike nga EULEX-i, ndërkohë që i ka përsëritur atij apelin kundër ndërhyrjeve në punët e gjyqësorit, duke iu referuar rastit “Kleçka”, ku është i përfshirë Fatmir Limaj.

Top Channel