Reshjet e dendura të dëborës gjatë së martës kanë vështirësuar qarkullimin nëpër rrugët e Kosovës. Problemtatike mbetet rruga që nga Peja të çon në pikën kufitare me Malin e Zi, në Rozhajë, e cila është e kalueshme vetëm për automjetet e vogla, ndërsa për ato me pesha të rënda kalimi është i pamundur.

Po ashtu, edhe rrugët e fshatrave të thella janë të kalueshme vetëm duke përdorur zinxhirë. Vetëm gjatë së martës, deri rreth orës 15 janë shënuar 61 aksidente, 53 prej të cilave me dëme materiale, 8 me lëndime, dhe për fat të mirë pa humbje jete.

Policia e Kosovës vazhdon të bëjë apel tek drejtuesit e automjeteve që të qarkullojnë me zinxhirë dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë që qarkullimi të zhvillohet pa probleme.

Në anën tjetër, sipas Drejtorit të Institutit Hidrometerologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, të reshurat e dëborës do të ndërpriten të martën në mbrëmje dhe pritet të rikthehen gjatë fundjavës.

Në bazë të parashikimeve, gjatë këtij dimri pritet që temperaturat të bien dukshëm. Profesor Tahirsylaj thotë se temperaturat mund të shkojnë deri në rreth -22 gradë Celsius, dhe sipas tij kjo është normale, krahasuar me vitin e kaluar ku temperaturat kanë shkuar deri në -25 gradë Celsius dhe po ashtu, krahasuar me vitet e kaluara.   

Top Channel