Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson ka deklaruar se
korrupsioni është një dukuri që duhet të luftohet në të gjitha nivelet,
nga më i larti deri tek ai më i ulët.

Deklaratën e saj Jacobson e ka bërë në një seminar që po trajton pikërisht depërtimin e fenomenit në institucionet e Kosovës, të organizuar nga instituti George Marshall.

Diplomatja e Shteteve të Bashkuara ka theksuar në fjalën e saj se suksesi në këtë luftë varet kryesisht nga qasja e qeverisë.

”Unë mendoj se korrupsioni duhet të luftohet nga të gjitha nivelet, në të gjitha nivelet e qeverisë, nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit, sepse kjo nuk është vetëm punë e zyrtarëve qeveritarë, por është edhe një çështje e shoqërisë civile”, ka thënë Jacobson.

Sipas saj, kjo është një fushë ku edhe media e shoqëria civile mund të luajnë një rol parësor, pavarësisht se janë qeveria dhe institucionet ligjore që kanë rolin qëndror.

“Korrupsioni është problem në çdo shtet, sidomos në prokurimin publik, prandaj inkurajoj gjithë zyrtarët që në vitet e ardhshme Kosova të ketë një renditje më të mirë në luftën kundër tij”, ka vijuar Jacobson.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi e ka cilësuar luftën ndaj korrupsionit si një sfidë jetike të qeverisë, e cila sipas tij ka ndërmarrë një sërë masash ligjore.

“Viti 2013 do të jetë viti i implementimit të ligjeve dhe i përmirësimit të imazhit së pari të institucioneve para qytetarëve të Kosovës dhe më pas i Kosovës para botës”, ka thënë Kuçi.

Top Channel