
Shteti i Dominikës (Commonwealth of Dominica) ka njohur pavarësinë e
Kosovës, duke konfirmuar vendimin e tij përmes një note zyrtare që i ka
dërguar Ministrisë së Jashtme në Kosovë.
Nota në fjalë është pranuar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe bashkë me të është dërguar edhe një letër në adresë të presidentes Atifete Jahjaga.
“Në emër të popullit tonë është kënaqësi t’ju njoftojmë se Dominika njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Përgëzojmë përkushtimin e popullit të Kosovës për të ndërtuar një shtet të pavarur mbi bazën e parimeve të lirisë dhe demokracisë”, thuhet në notën verbale.
Dominika është një shtet-ishull në detin e Karaibeve, me një sipërfaqe prej 750 kilometrash katrorë dhe me një popullësi me rreth 73 mijë banorë. Me kryeqytet Roseaun, vendi është anëtar i OKB-së që prej vitit 1978.
Muajin e kaluar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës mbërriti nota verbale që zyrtarizonte njohjen e shtetit ballkanas nga Republika e Fixhit.
Lajmin e bëri të ditur dikasteri në fjalë përmes një komunikate për shtyp, në të cilën saktësohej se nota ishte pranuar nga ministri Enver Hoxhaj.
“Në përputhje të plotë me njoftimin e dy ditëve më parë të kryeministrit Hashim Thaçi, për njohjen e Republikës së Kosovës nga ky shtet, nota verbale konfirmon këtë akt të rëndësishëm për shtetin tonë”, thuhej në komunikatë.
Po muajin e kaluar, ministri Hoxhaj mori garanci nga homologu iraken Hoshyar Zebari se Iraku do të shqyrtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Zoti Zebari shprehu përkrahjen e shtetit të tij për Kosovën e pavarur, duke vlerësuar lart progresin e arritur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Ai po ashtu theksoi se autoritetet e Irakut po i përcjellin zhvillimet brenda Kosovës me vëmendje të madhe.
“E dimë që shumica e vendeve islame dhe arabe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se ju po bëni një progres të madh në proçesin e njohjeve”, theksoi ministri Zebari.
Top Channel