Bullgaria është kundër caktimit të një date për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë, deklaroi ditën e martë Sofia zyrtare.
”Bullgaria është në listën e atyre vendeve që kundërshtojnë caktimin e një date për fillimin e negociatave”, shkruhej në deklaratën zyrtare.
Maqedonia është një vend kandidat që prej vitit 2005, por avancimi i mëtejshëm është bllokuar si pasojë e vetos greke për problemet me emrin.
Megjithatë, ndërsa e ardhmja europiane e Maqedonisë është rikthyer në rendin e ditës, Bullgaria duket e vendosur që të kushtëzojë aprovimin e saj me raportet e “fqinjësisë së mirë”.
”Bullgaria mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, por kjo mund të ndodhë vetëm duke respektuar fqinjët dhe duke ndërprerë fushatën antibullgare që po realizojnë aktualisht autoritetet maqedonase”, shkruhej në deklaratën e firmosur nga presidenti Rosen Plevneliev dhe kryeministri Boyko Borisov.
Bullgaria ishte vendi i parë që njohu shtetin e pavarur maqedonas në 15 janar 1992.
Megjithatë, Sofia pretendon se maqedonasit kanë origjinë bullgare dhe se gjuha e tyre është një dialekt i bullgarishtes, diçka të cilën Shkupi e përgënjeshtron me forcë.
Top Channel