Kryetari i Lëvizjes për Ripërtëritjen e Serbisë, Vuk Drashkoviç ka akuzuar lidershipin politik të Beogradit se nuk po i thotë popullit serb të vërtetën në lidhje me Kosovën, se statusi i saj është një çështje e mbyllur.
“Shqiptarët e Kosovës e kanë fituar të drejtën për shkëputje dhe vetëvendosje dhe sipas tekstit të rezolutës 1244, këtë të drejtë ata e kanë shfrytëzuar”, ka thënë Drashkoviç për televizionin serb “B92”.
Ai ka theksuar se, popullit serb po i fshihet e vërteta sidomos me rezolutën 1244, me të cilën sipas tij, në vitin 1999 Serbisë i është hequr çdo aspekt i sovranitetit mbi Kosovën.
Ndërkohë, pavarësisht qëndrimit kritik ndaj qeverisë serbe, Drashkoviç ka vlerësuar me nota pozitive dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke u shprehur se ai u shërben interesave edhe të popullit serb në Kosovë.
“Ne nuk jemi të detyruar ta njohim pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të dërgojmë ambasadorin tonë në Prishtinë, por të gjitha marrëdhëniet e tjera duhet t’i normalizojmë”, ka thënë Drashkoviç.
Top Channel