
Enti Rregullator i Energjisë ka marrë vendim të lërë të pandryshuara
çmimin e energjisë për konsumatorët final, por edhe atë me të cilin KESH
furnizon CEZ-in.
Përmes një vendimi bordi i komisionerëve të ERE-s e ka gjykuar nivelin aktual të tarifave si të përshtatshëm për të siguruar të ardhurat e mjaftueshme për kompanitë energjetike CEZ dhe KESH që të ushtrojnë aktivitetin e tyre normal. Sipas vendimit të Entit, çmimet e energjisë do të qëndrojnë të pandryshuara deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe kjo ngrirje e tyre lidhet me dy shkaqe.
Së pari muaji qershor është afati i fundit që kompanitë energjetike të dorëzojnë bilancin e vitit parardhës,mbi bazën e të cilave vendosen çmimet. Shkaku i dytë lidhet me statusin e kompanisë së shpërndarjes. Në 17 dhjetor ERE pritet që të marrë vendimin përfundimtar mbi licencën e CEZ-it.
Në bazë të këtij vendimi ndryshojnë dhe skenarët e tarifave. Më parë Enti ka deklaruar se do të mbajë të pandryshuara deri në vitin 2014 çmimet finale të energjisë për konsumatorët dhe gjatë kësaj periudhe do të ndryshohen vetëm tarifat me të cilat KESH i shet energji CEZ. Aktualisht çmimi mesatar i energjisë është 9.53 lekë për kilovat orë, ndërsa për familjarët ai është i ndarë në dy fasha, 7.7 lekë për kilovat orë deri në konsumin 300 kilovat dhe 13 lekë mbi këtë konsum.
Sistemi energjetik ndodhet në një krizë të rëndë financiare, ku kompanitë janë përfshirë në një rrjet të ngatërruar borxhesh të ndërsjellta, çka ka infektuar edhe financat publike të vendit duke diktuar rritjen e borxhit përtej kufijve ligjor.
Top Channel