Policia kosovare ka arrestuar në ditët e fundit një shtetas bullgar, i dyshuar për kryerjen e krimeve kibernetike në dëm të shtetasve të Kosovës.
Sipas raportimeve të mediave kosovare, shtetasi bullgar me iniciale M.N ka vendosur pajisje elektronike në bankomatin e një prej filialeve bankare të Prishtinës, me qëllim grabitjen.
Sipas policisë, pajisjet që zotëronte personi në fjalë shërbenin për vjedhjen e të dhënave bankare të klientëve, me qëllim klonimin e kartave të tyre dhe më pas vjedhjen e parave.
“I dyshuari është kapur në flagrancë nga hetuesit e DHKO-së, gjatë heqjes së pajisjeve të vendosura në bankomat, të cilat më pas janë konfiskuar nga policia, duke përfshire edhe automjetin e të dyshuarit, që ishte përdorur në atë rast”, thuhet në një komunikatë të policisë.
Më pas, gjatë kontrollit të vendndodhjes së tij, një hotel i vogël në Prishtinë, agjentët e Drejtorisë Hetimore të Krimit të Organizuar kanë sekuestruar edhe pajisje të tjera që shërbenin për përpunimin e të dhënave bankare të klientëve.
Objektet e sekuestruara janë: 5 kamera të modifikuara për vjedhjen e kodeve PIN, 4 pajisje skimmer që përdoren për vjedhjen e të dhënave bankare të klientëve, 1 kompjuter laptop i përdorur për nxjerrjen e të dhënave nga skimmer-ët, 1 hard disk i jashtëm, 2 telefona celularë, elementë përcjellës specialë që gjithashtu përdoren së bashku me objektet e tjera.
Top Channel