Brenda pak ditësh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të vendosë për të emëruar përfaqësuesin e Kosovës në Beograd.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj thotë se është në fazën përfundimtare të një liste me 3 emra, dhe sipas tij do të vendoset më pas për njërin prej tyre.

Por, nëse ai do të punojë në një zyrë të veçantë të Kosovës, apo në kuadër të hapësirës së ndonjë organizate ndërkombëtare, në këtë rast BE-së, Hoxhaj tha se delegacionet e BE-së do të ofrojnë hapësirën e tyre në dispozicion.

“Kjo do të jetë një zyrë e ndërlidhjes që do ta përfaqësojë dhe prezantojë Republikën e Kosovës në kryeqytetin serb, në Beograd. Po ashtu edhe Serbia do të ketë një zyrë të njëjtë në Kosovë. Të dy palët janë pajtuar që delegacionet e BE-së të ofrojnë hapësirën në dispozicion. Do të thotë se ne do të kemi aty jo vetëm një zyrë, por më shumë se aq. Do të ketë një hapësirë të nevojshme në dispozicion”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj e bëri këtë deklaratë pas takimit të lamtumirës me ambasadorin francez në Kosovë, Jean François Fitou, i cili shumë shpejt do të përfundojë angazhimin e tij në Prishtinë.

Ambasadori francez tha se Kosova ka ecur shumë në këto vite të pasluftës dhe tani është në një situatë kur sovraniteti i saj nuk është në diskutim.

“Unë po largohem, mos e merrni sikur është një qëndrim politik, por kam qenë i gëzuar që kam qenë me ju. Shteti juaj ka qenë në prag të shkatërrimit 12 vjet më parë dhe ju i keni ende të freskëta kujtimet dhe emocionet nga ajo kohë, mirëpo sot jeni shumë larg nga ajo gjendje që keni përjetuar para 12 vjetëve. Ju nuk e kuptoni ndoshta sa larg jeni tani prej këtij këndi shkatërrimtar që keni pasur 12 vjet më parë. Thjesht, shteti juaj, sovraniteti juaj, kufijtë tuaj tani nuk janë në diskutim fare”, u shpreh Fitou.

Në anën tjetër, Hoxhaj vlerësoi lartë angazhimin e Francës në çështjen e Kosovës. Sipas tij, Franca ka qenë vendimtare që disa shtete ta njohin pavarësinë e saj.

Për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe në Beograd u ra dakord në takimin e tretë të zhvilluar në Bruksel mes kryeministrave respektivë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. 

Top Channel