Klima, shtyhet Protokolli i Kiotos

08/12/2012 00:00

Delegatët në Konferencën e Klimës në Katar ranë dakort me shtyrjen e Protokollit të Kiotos deri në vitin 2020, duke shmangur kështu një tjetër dështim. Pakti me të cilin u pajtuan gati 200 kombe e mban protokollin të gjallë
si planin e vetëm ligjor detyrues për luftën kundër ngrohjes globale.

Megjithatë, ai mbulon vetëm vendet e zhvilluara që e kanë më pak se 15% pjesën e emetimit të gazeve të efektit serë. Shtetet e Bashkuara, të konsideruara një prej ndotësve më të mëdhenj, nuk e kanë ratifikuar kurrë protokollin fillestar të 1997-ës.

Takimi gati dy javor në Doha e pati të vështirë mbylljen. Debatet zgjatën mbi 12 orë për shkak të divergjencave se cilat shtete të pasura duhet të kompensonin vendet më të varfëra që kanë pësuar dëme mga ndryshimet klimaterike.

Shtetet e Bashkuara iu kundërvunë egërsisht një mase të tillë me argumentin se kostoja do të ishte e pallogaritshme. Diskutimet vazhduan edhe gjatë natës, pas një deklarate të dëshpëruar të drejtuesit të konferences, Abdullah al Atijah mbrëmjen e së premtes.

“Zgjidhja është në dorën tuaj. Më jepni zgjidhjen, më jepnin bekimin tuaj, pastaj mund të largoheni. Ju lutem të ktheheni në orën 11.00 me tym të bardhë”, tha Al Attiyah.

Marrëveshja më në fund u arrit pasi Bashkimi Europian, Australia dhe disa vende të tjera të industrializuara firmosën për reduktime detyruese të emetimit të gazit karbonik deri në 2020-ën. Protokolli përjashton megjithatë disa nga ndotësit e mëdhenj, përfshirë Amerikën, Kinën e Indinë.

Mediu përfaqësonte Shqipërinë

Në konferencën e ndryshimeve klimaterike në Katar merrte pjese edhe Shqipëria, një vend anëtar i Protokollit të Kiotos. Përpara pjesëmarrësve foli edhe ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, që tha se rruga e zhvillimit mjedisor në Shqipëri është e lidhur ngushtë me reduktimin e emetimeve.

Mediu theksoi se ministria që ai drejton e ka kthyer këtë çështje në prioritet të punës së saj dhe sqaroi se ka nisur zbatimi i të gjitha ligjeve sipas standardeve të BE-së, përfshirë këtu edhe ndryshimet e klimës.

Ai po kështu siguroi të pranishmit në këtë konferencë se Shqipëria është duke vepruar me ritme të larta për kufizimin maksimal të emetimeve të gazit karbonik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB