Luftëtarët rebelë në Siri deklarojnë se synojnë të marrin nën kontroll aeroportin e Damaskut, duke e cilësuar atë si një “objektiv të arritshëm”.
Zëdhënësi i rebelëve tha se aeroporti po përdoret nga ushtria siriane dhe duhet të shmanget nga civilët. Në javët e fundit në rrethinat e Damaskut, kryesisht në zonën e njohur si Gouta, janë zhvilluar luftime të ashpra.
Aktivitetet në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit sirian kanë qenë të pezulluara për civilët në dy javët e fundit.
Për shkak të vazhdimit të luftimeve atje, zëdhënësi i fraksionit rebel Këshilli Ushtarak i Damaskut, Nabil al Amir paralajmëroi civilët se janë të rrezikuar nëse afrohen.
“Brigadat rebele që kanë rrethuar aeroportin arritën të enjten në përfundimin se ai është një objektiv i arritshëm. Aktualisht aeroporti është i mbushur me autoblinda dhe ushtarë”, deklaroi Al Amir.
Ushtria siriane ka përforcuar pozicionet jashtë dy periferive jug-perëndimore të Damaskut, nga frika e një sulmi të mundshëm tokësor të rebelëve.
Gjatë ditës së premte ushtria siriane ka bombarduar zonën periferike të Darajasë, që kontrollohet nga rebelët e armatosur, raportoi redaktori i BBC për Lindjen e Mesme, Jeremy Bowen nga Damasku.
Raketa dhe bomba janë qëlluar dhe në Maudhamija, një tjetër zonë periferike kjo që ndodhet pranë aeroportit ushtarak të Mezehut.
Rebelët kanë avancuar së fundmi në zonat qendrore të kryeqytetit, ndërkohë që forcat qeveritare kanë ndërmarrë një seri operacionesh për të rimarrë nën kontroll territorin.
Top Channel