Greqia është skeptike për nismën e kryeministrit Sali Berisha mbi nënshtetësinë shqiptare dhe faktin që ajo mund t’i jepet kujtdo që e kërkon nga banorët e viseve shqiptare në Ballkan.
I pyetur nga Top Media, zëdhënësi i Ministrisë së Jashme greke, Grigoris Delavekuras, deklaroi se Athina zyrtare pret të sqarohet më shumë situata lidhur me këtë çështje.
Delavekuras tha se Greqia e sheh me skepticizëm këtë iniciativë. Sipas tij, Tirana zyrtare duhet të bëjë kujdes, që ky vendim i qeverisë shqiptare të mos bjerë ndesh me detyrimet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe zotimet e saj lidhur me lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
Sa për deklaratat e zotit Berisha në Vlorë, se trojet shqiptare shtrihen nga Preveza në Preshevë dhe nga Shkupi në Podgoricë, zëdhënësi tha se Athina dëgjoi sqarimet që iu dhanë nga pala shqiptare gjatë mbrëmjes së datës 27 dhe pohimet që pasuan dy ditë më vonë nga ana e politikës shqiptare.
“Padyshim, sqarimi i situatës gjatë orëve që pasuan ato deklarata dhe tërheqja e zotit Berisha nga qëndrimi i tij fillestar, qetësoi disi Athinën zyrtare”, tha ai. Delavekuras shprehu pëlqimin e Athinës lidhur me deklaratat e presidentit Nishani dhe politikanëve të tjerë në Tiranë, të cilët deklaruan se nuk ka asnjë ide dhe rrymë të rëndësishme pro Shqipërisë së Madhe në Shqipëri.
“Ballkani ka vuajtur shumë në të kaluarën nga nacionalizmat. Ndaj i duhet thënë stop çdo tentative nacionaliste. Athina i dënon këto deklarata dhe mbetet e vendosur në qëndrimin e saj se gjithë rajoni i Ballkanit e ka vendin në familjen europiane. Ndaj dhe vazhdojmë të mbështesim çdo nismë pro integrimit të rajonit në familjen e madhe europiane”, përfundoi Delavekuras.
Top Channel