Re toksike mbi Buenos Aires

07/12/2012 08:55

Një re toksike ka mbuluar disa pjesë të kryeqytetit argjentinas, duke krijuar alarm dhe shkaktuar evakuimin e shumë blloqeve të banuara.

Autoritetet informuan se reja mbi Buenos Aires u krijua pasi një zjarr përfshiu një kontenier me pesticide në portin e qytetit.

Ndonëse situata është deklaruar nën kontroll, ditën e premte, shumë kryeqytetas u raportuan se po dyndeshin masivisht në lagjet e paprekura apo në drejtim të qyteteve të tjera.

Si rrjedhojë e resë toksike, qindra persona kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, për shkak të simptomave që përfshijnë të vjella, irritimin e syve dhe acarimin e rrugëve të frymëmarrjes.

Ministri i Shëndetit Publik, Sergio Berni, deklaroi se nuk ka vend për panik, pasi sipas tij, “nivelet toksike të pesticidit të prodhuar në Kinë janë të ulëta dhe lehtësisht të tolerueshme nga trupi njerëzor”.

Aktualisht, aeroporti kryesor i Buenos Airosit po përjeton probleme të shumta me trafikun ajror, me dhjetëra linja që kanë anulluar fluturimet e tyre dhe vonesa të shumta, si rrjedhojë e mbylljes së disa korridoreve ajrore që kalojnë mbi renë toksike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA