Obama-Morsit: Dhuna e papranueshme

07/12/2012 16:10

Presidenti amerikan Barack Obama ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin egjiptian Mohamed Morsi, gjatë të cilës ka shprehur shqetësimin e tij për viktimat dhe të plagosurit në manifestimet e ditëve të fundit.

“Të gjithë liderët politikë egjiptianë duhet t’u sqarojnë mbështetësve të tyre se dhuna është e papranueshme”, ka thënë Obama gjatë bisedimit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka mirëpritur kërkesën për dialog që Morsi i ka bërë opozitës, duke vënë në dukje se për të dyja palët ky dialog duhet të zhvillohet pa kushte.

Obama ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin popullin egjiptian dhe tranzicionin e tij drejt një demokracie që të respektojë të drejtat e tyre.

“Është jetike që liderët egjiptianë të lënë mënjanë dallimet dhe të bien dakord për një rrugë që do t’i mundësojë Egjiptit të ecë përpara”, ka shtuar presidenti amerikan.

Morsi është vendosur në qendër të protestave, pas shpalljes së një dekreti që zgjeron fuqitë e presidentit, duke i dhënë atij të drejtë vetoje mbi Parlamentin.

Një lëvizje e tillë ka bërë që mediat ndërkombëtare të krahasojnë pushtetin e presidentit islamik me atë të “faraonëve” dhe ka ngjallur frikën mbi mundësinë që Egjipti, një vend me 84 milionë banorë, të shndërrohet në një republikë islamike.

Ftesa e Morsit për dialog erdhi pasi në manifestimet e së enjtes në kryeqytetin Kajro, pesë persona mbetën të vrarë dhe disa qindra të tjerë u plagosën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA