Pas një takimi të realizuar në selinë e qeverisë, dy partnerët e koalicionit Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski i kanë bërë apel gjithë qytetarëve që të përmbahen nga provokimet.
Në një komunikatë të përbashkët me shkrim thuhet se, partnerët qeveritarë vlerësojnë se secili komunitet duhet të respektojë identitetin e njëri-tjetrit, në mënyrë që të evitohen provokimet dhe tensionet ndëretnike.
Ahmeti dhe Gruevski janë dakorduar që të shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të ndikuar në tejkalimin e këtyre sfidave në frymën e respektimit të tolerancës dhe mirëkuptimit ndëretnik.
Ata kanë biseduar edhe në lidhje me manifestimin në Shkup për Ditën e flamurit shqiptar, që nga opozita maqedonase u cilësua si provokim ndaj shtetit.
Dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë janë të paprekshëm dhe të garantuar. Partnerët e koalicionit qeveritar kanë theksuar edhe rëndësinë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
Ahmeti dhe Gruevski janë dakorduar gjithashtu për vazhdimin e realizimit të programit qeveritar, luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, reformat administrative, përmirësimin e gjendjes ekonomike, zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe vazhdimin e reformave në planin e integrimeve evroatlantike.
Në komunikatën me shkrim të lëshuar pas takimit Ahmeti-Gruevski, nuk jepet asnjë detaj mbi cfarë është biseduar lidhur me projektligjin për forcat maqedonase të sigurisë, që shkaktoi krizë në koalicionin qeveritar.
Top Channel