Lagarde: SHBA të zgjidhin ngërçin

07/12/2012 21:35

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka bërë thirrje liderëve amerikanë që të arrijnë një marrëveshje për të shmangur të ashtuquajturin “fiscal cliff”.

Christine Lagarde tha për BBC se SHBA e kanë për detyrë të largojnë pasiguritë dhe dyshimet, të cilat sipas saj dëmtojnë rëndë ekonominë globale në rekuperimin e saj.

“Fiscal cliff” i referohet rritjes së taksave në Shtetet e Bashkuara dhe shkurtimit të shpenzimeve që pritet që të hyjnë automatikisht në fuqi në janar të vitit të ardhshëm.

Kjo mund të shmanget vetëm nëse demokratët dhe republikanët bien dakord për një marrëveshje për buxhetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ekonomia e Shteteve të Bashkuara është lider në botë. Dollari është një valutë ndërkombëtare dhe një parajsë e sigurtë”, u shpreh Lagarde për rrjetin britanik.

“Për të mbrojtur këtë, për të siguruar që lidershipi do të zgjasë, këto pasiguri duhet të largohen, sepse pasiguria mbush me dyshime këtë lidership”, sqaroi më tej shefja e FMN-së.

Ditën e mërkurë, presidenti amerikan Barack Obama dhe përfaqësuesi i Dhomës së Republikanëve, John Boehner zhvilluan një bisedë telefonike në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin.

Të dyja palët kanë propozuar disa plane për të arritur një marrëveshje, por të dyja mbeten po ashtu të përçara përsa i përket mënyrës për arritjen e saj.

Presidenti Obama dëshiron që të rrisë taksat për amerikanët e pasur, por republikanët kundërshtojnë duke kërkuar në vend të saj më shumë shkurtime të shpenzimeve qeveritare.

Ndërsa ditën e premte, zoti Boehner akuzoi zotin Obama për një qëndrim imponues dhe për deklarata të pamatura gjatë bisedimeve për të ashtuquajturin “fiscal cliff”.

“Ky nuk është progres sepse nuk ka asnjë progres për të raportuar. Presidenti ka ndërmarrrë një strategji që ka si qëllim ngadalësimin e hapave të ekonomisë sonë në buzë të humnerës fiskale”, deklaroi Boehner.

Ndërsa korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se Shtëpia e Bardhë aktualisht ka zgjatur dorën, duke qenë se zoti Obama sapo është rizgjedhur dhe kur sondazhet tregojnë se amerikanët do të fajësojnë republikanët nëse SHBA bien në “humnerën fiskale”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA