Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, IBM, do të nisë të zbatohet duke filluar nga data 10 dhjetor.

Lajmin e ka bërë të ditur zv.kryeministri Hajredin Kuçi, i cili në konferencën e zakonshme për shtyp ka dekalruar se, nga 10 dhjetori të gjithë do të binden se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

Pas mbledhjes së rregullt të qeverisë, Kuçi ka saktësuar se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet teknike që marrëveshja në fjalë të nisë të aplikohet.

“Besojmë se nga mëngjesi i datës 10 dhjetor të gjithë, sidomos iluzionistët që mendojnë se Kosova do të ndahet apo do ketë një organizim tjetër, do të binden se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Kuçi.

“Do të ketë të pakënaqur, sidomos ata që janë marrë me kontrabandë dhe krim të organizuar, por besoj se Serbia do të tregohet serioze dhe nuk do të ndikojë në fuqizimin e këtyre grupeve”, ka vijuar ai.

Kuçi ka nënvizuar se mes autoriteteve të Kosovës, Serbisë dhe EULEX-it është rënë dakord për taktikat përmes të cilave do të aplikohet marrëveshja, ndonëse për këtë nuk ka diçka të nënshkruar.

“Ky nuk është një traktat mes dy shteteve. Traktati i paqes për të cilin kam folur, dhe që disave u është dukur një shaka, do të vijë më vonë”, ka thënë Kuçi.

Zëvendësi i Thaçit ka shtuar më tej se, në mbledhjen e qeverisë u trajtuan edhe çështje të tjera, si ligji për festat zyrtare që u shty për në mbledhjen e ardhshme.

Megjithatë, është përcaktuar se festat e huaja, si 9 maji, që është Dita e Evropës, do të hiqet nga lista e festave zyrtare dhe se festat që bien në fundjavë nuk do të kompensohen me ditë jave.

Gjithashtu, ekzekutivi kosovar shprehu mbështetjen për projektligjin që parashikon dërgimin e trupave të FSK-së për misione jashtë Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA