
Qeveria e Kosovës miratoi një rregullore të vecantë për mënyrën e të bërit grevë në institucionet publike. Kabineti i kryeministrit Hashim Thaçi miratoi një rregullore qëllimi i së cilës është përcaktimi i kushteve për kufizimin e së drejtës për greve në shërbime të vecanta në shërbimin civil të Kosovës.
Shërbime të vecanta konsiderohen ato shërbime të cilat janë të menaxhueshme nga nënpunesit civil e ku greva mund të rrezikojë funksionimin e administratës shtetërore. Kështu gjatë organizimit të ndonjë greve, punonjësit pavarësisht pakënaqësive, sipas rregullores duhet t’i kryejnë shërbimet e vecanta si: shërbimet për sigurinë e vendit, shërbimet e kontrollit të trafikut ajror, mbrojtjes kundër zjarrit, shërbimet në burgje, shërbimet e telekomunkimit etj.
Punonjësit të cilët janë të detyruar për të siguruar minimumin e funksionimit të procesit të punës mund të shprehin pakënaqësi përmes një deklarate apo formave të tjera alternative thuhet në rregulloren e re të qeverisë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e cilësoi këtë si praktike të shteteve europiane e cila ka për qëllim parandalimin e kolapsit të shtetit nga kategori të caktuara.
Në mbledhjen e së premtes qeveria e Kosovës po kështu shqyrtoi ndryshimin e projektligjit për festat zyrtare. Pritet që 9 maji apo Dita e Europës të mos figurojë si festë zyrtare e Republikës së Kosovës rrjedhimisht 9 maji në të ardhmen mund të jetë ditë e zakonshme pune në Kosovë.
Ekzekutivi kosovar po kështu i dha mbështetje propozimit të Ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj për pajisjen me pasaporta diplomatike për të gjithë bartësit e mëparshëm të institucioneve.
Top Channel