Kur janë bërë 14 vjet nga përfundimi i luftës, ish-pjestarët e UÇK-së veshën sërish uniformën e ushtrisë. Por këtë herë jo për ndonjë mision ushtarak, por në protestë kundër arrestimit të ish-komandantit të UÇK-së Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij.
Ditë më parë gjyqtari i EULEX-it caktoi masën e paraburgimit për Fatmir Limajn, Naser Shalën, Nexhmi Krasniqin dhe Naser Krasniqin, të pandehur në rastin “Kleçka”.
Protestuesit e sotëm thonë se ky vendim njollos luftën e UÇK-së, është tendencioz dhe për të kënaqur orekset e Beogradit.
“Ne kërkojmë të lirojnë ushtarët e Kosovës, ata nuk kanë faj. Ata nuk po dënojnë kriminelët e luftës që duhen dënuar, por po na dënojnë neve”, deklaroi Rrahman Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së, brigada 153.
Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar me emblemen e UÇK-së, ndërsa në pankarta dominonin frazat “Liri për çlirimtarët” dhe “Lufta jonë është e shenjtë”.
“Sot jemi këtu për të denoncuar padrejtësitë që bëhen duke futur në burgje ushtarët e UÇK-së nga EULEX-i. Ata kanë sakrifikuar jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e këtij shteti”, tha Emin Gashi, ish-ushtar i UÇK-së, brigada 161.
Përfaqësuesit e shoqatava të dala nga lufta kërkuan nga institucionet e Kosovës që të rishikojnë mandatin e EULEX-it në Kosovë.
Muharrem Xhemajli tha se vendimi i Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy të tjereve ka treguar se lufta e UÇK-së është e drejtë dhe sipas tij nuk ka nevoje për proçese të tjera kundër luftëtarëve të saj.
“Vendimi i përcaktimit të masës së paraburgimit është i pabazuar në ligj, tendencioz dhe për të kënaqur orekset e Beogradit. Fatmiri me shokë gjithmonë kanë qenë të gatshëm të ballafaqohen me të keqen. Ne asnjëherë nuk u pajtuam me këto veprime anti shqiptare të EULEX-it dhe konsiderojmë që ky mision është i pavlefshëm”, deklaroi Xhemajli.
Pas një orë qëndrimi në qendër të Prishtinës, pranë selsië së EULEX-it, protestuesit u shpërndanë të qetë.
Top Channel