Presidenti filipinas Benigno Aquino ka mbërritur të premten në rajonin e shkatërruar nga tajfuni “Bopha”, për të parë personalisht përmasat e ndihmave që nevojiten dhe për të takuar të mbijetuarit.
“Duam të dimë se si kjo tragjedi ka ndodhur në mënyrë që të shmangim përsëritjen e saj”, ka deklaruar Aquino teksa zbriste nga një helikopter në Nju Batan, në ishullin e Mindanaos.
Mindanao ka qenë pikërisht epiqendra e katastrofës që deri tani ka shkaktuar pothuajse 500 të vdekur, 400 të humbur dhe 306 mijë të pastrehë.
“Jam këtu për të marrë shpjegime. Nuk është koha për të bërë akuza, por për të punuar”, ka shtuar presidenti përpara se të drejtonte shpërndarjen e ndihmave ushqimore për 2 mijë të mbijetuar, të strehuar në një palestër.
Numri i saktë i viktimave është 475, sipas bilancit të fundit të publikuar nga ushtria ditën e enjte.
“Bopha” ka goditur në veçanti jugun e vendit. Ai është tajfuni më i fuqishëm që është përplasur në këtë zonë gjatë këtij viti.
Pasi përfshiu ishullin e Mindanaos, ai shkatërroi Palauanin, zonë e njohur në të gjithë botën për plazhet e bukura dhe pikat për të bërë zhytje.
Shumë persona konsiderohen të humbur nga vërshimi i baltës, të shkaktuar nga shirat e dendura. Shumica e viktimave numërohet në zonat rurale të Mindanaos.
Provinca që ka vuajtur më shumë impaktin e tajfunit është Lugina Kompostela, ku përmbytjet kanë përfshirë ndërtesa, plantacione dhe shkolla.
Top Channel