Egjipt, sërish protesta kundër Presidentit

07/12/2012 00:00

Argumentet mbrojtëse të Presidentit Morsi lidhur me vendimet e tij dhe kërcënimet për “ndëshkim” nuk trembën protestuesit opozitarë egjiptianë të grumbullohen në sheshet dhe rrugët e Kajros ditën e premte.

Qindra protestues nisën të tuboheshin në sheshin Tahrir dhe në zona të tjera të kryeqytetit. Ata sërish kërkojnë tërheqjen e projekt-Kushtetutës, e thërritur për miratim me anë të referendumit më 15 dhjetor, si dhe anulimin e dekretit të presidentit Morsi që shfuqizon të gjitha institucionet e tjera të pushtetit nga e drejta për të kundërshtuar apo rrëzuar vendimet e tij.

Ndryshe nga një ditë më parë, kur ushtria u thërrit për të mbrojtur pallatin presidencial, protestat e së premtes nisën paqësore. Protestuesit mbanin në duar pankarta kundër presidentit Morsi dhe thërritën “Jo Diktaturë”.

Shqetësim për situatën e krijuar së fundmi në Egjipt ka shprehur edhe Uashingtoni. Vetë Presidenti amerikan Barack Obama ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin egjiptian Mohamed Morsi, gjatë të cilës ka shprehur shqetësimin e tij për viktimat dhe të plagosurit në manifestimet e ditëve të fundit.

“Të gjithë liderët politikë egjiptianë duhet t’u sqarojnë mbështetësve të tyre se dhuna është e papranueshme”, ka thënë Obama gjatë bisedimit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka mirëpritur kërkesën për dialog që Morsi i ka bërë opozitës, duke vënë në dukje se për të dyja palët ky dialog duhet të zhvillohet pa kushte.

Obama ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin popullin egjiptian dhe tranzicionin e tij drejt një demokracie që të respektojë të drejtat e tyre.

“Është jetike që liderët egjiptianë të lënë mënjanë dallimet dhe të bien dakord për një rrugë që do t’i mundësojë Egjiptit të ecë përpara”, ka shtuar presidenti amerikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA