Ai ka folur vetëm pak orë, pasi 5 persona ndërruan jetë dhe 644 të tjerë u plagosën në përplasjet mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të tij.
Morsi tha se ai mbështet të drejtën për të protestuar, por akuzoi se disa njerëz ishin paguar për të nxitur dhunë.
“Vëllazëria Muslimane”, e cila mbështeti Morsi-n në zgjedhjet presidenciale, tha se zyrat qëndrore të tij në Kajro kanë marrë flakë.
Në një deklaratë në media, Morsi shprehu pikëllimin e tij për të vdekurit gjatë ditëve të fundit. Ai shtoi se 80 njerëz ishin arrestuar, pasi “u implikuan në akte të dhunshme”. Ai fajësoi mbështetësit e ish-regjimit të presidentit Hosni Mubarak, se janë fajtorë të dhunës së ditëve të fundit.
Morsi ofroi shumë pak lëshime ndaj kundërshtarëve të tij, por tha se neni i diskutueshëm i dekretit të tij të fundit, i cili i dha atij më shumë fuqi, mund të modifikohet.
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, mirëpriti thirrjen e Morsi-t për bisedime, por theksoi se dialogu duhet të bëhet pa “parakushte”, bëhej e ditur në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, ditën e enjte.
“Presidenti Obama i telefonoi sot presidentit Morsi për t’i shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me të vdekurit dhe të plagosurit mes protestuesve në Egjipt”, thuhej në deklaratë. “Presidenti theksoi se të gjithë liderët politikë në Egjipt duhet t’ua bëjnë të ditur mbështetësve se dhuna është e papranueshme”, shtoi ai.
Top Channel