Mijëra studentë, të shoqëruar nga stafi i tyre akademik, iu bashkuan protestave popullore në Slloveni kundër shkurtimeve të paralajmëruara nga qeveria, të cilat prekin edhe arsimin.
Si rrjedhojë e vështirësive ekonomike, që ka bërë të spekulohet se Sllovenia do të shndërrohet në vendin e ri të BE-së që do të kërkojë një dorëzani nga shtetet e tjera anëtare, Ljubjana shpalli më parë gjatë nëntorit një program kursimi, i cili godet pothuajse të gjitha shtresat e popullsisë sllovene.
Shkurtimet, të cilat koinçiduan me një skandal korrupsioni të kryebashkiakut të Mariborit, kanë provokuar një seri manifestimesh të dhunshme në dy javët e fundit.
”Ne nuk jemi një kostum të cilin nuk mund të blesh ose jo, në varësi të parave që ke në atë moment. Ne jemi e ardhmja e këtij vendi”, deklaruan studentët, të cilët manifestuan përpara godinës së parlamentit dhe sheshit të Kongresit.
Në bazë të buxhetit të qeverisë për vitin 2013, universitetet e financuara nga shteti do të marrin 16% më pak të ardhura për edukimin dhe 20% më pak për fushën shkencore-kërkimore.
E shkëputur nga Jugosllavia si republika më e pasur dhe vendi me mirëqënien më të lartë në Ballkan pas Greqisë, Sllovenia ka vuajtur rëndë pasojat e krizës ekonomike, me ekonominë që është tkurrur 8% në tre vitet e fundit dhe pritet të vazhdojë rënien edhe në vitin pasardhës.
Top Channel