Obama kërkon 50 miliardë USD për “Sandy”-n

06/12/2012 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama pritet t’i kërkojë Kongresit rreth 50
miliardë dollarë në ndihma për shtetet e goditura nga stuhija “Sandy”,
kanë bërë me dije ligjvënësit demokratë.

Administrata është ende duke hartuar kërkesën dhe mund të kërkojë një shumë që varion nga 45 në 55 miliardë dollarë, saktësojnë burimet.

Kërkesa do të jetë më e ulët se shifra prej 83 miliardë dollarë e kërkuar nga autoritetet e shteteve ku u regjistrua katastrofa, Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Konektikat.

“Sandy” shkaktoi stuhira fatale teksa u përplas përgjatë Bregut Lindor në tetor. Një sistem masiv stuhish, “Sandy” goditi shtetet nga Karolina e Veriut në Mein dhe është fajësuar për më shumë se 120 vdekje.

Ndërkohë, mijëra persona të tjerë janë ende në pamundësi për t’u kthyer në shtëpitë e tyre të përmbytura.

Kërkesa për fonde shtesë vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë ndodhet në një debat të fortë me Kongresin lidhur me të ashtuquajturin “fiscal cliff”.

Autoritetet sugjerojnë se propozimi për lirimin e fondeve mund të bëhet këtë javë në Kongres. Megjithatë, korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se nuk ka gjasa që ligjvënësit të votojnë në masë për kërkesën në fjalë kur klima është e tensionuar.

Presidenti mund të kërkojë vetëm 5.4 miliardë dollarë më shumë në fonde para se të përballet me kufirin e shpenzimeve.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA