Janë sëmunjdet që më së shumti sulmojnë në dimër. I ftohti konsiderohet një ndër shkaktarët krysorë të patologjive të mushkërive. Me ardhjen e stinës së ftohtë shtohen shumë rastet me infeksione në rrugët e frymëmarrjes. Por, ato që ndeshen më shpesh janë ftohjet dhe infeksionet gripale.
Infeksioni i mushkërive, në terma shkencorë, njihet si pneumonia dhe shkaktohet në pjesën më të madhe të rasteve nga infeksione bakteriale që në stinën e dimrit gjejnë më shumë terren për tu zhvilluar në organizëm. Shkak nuk bëhen vetëm temperaturat e ulta, por edhe mungesa e rrezeve të diellit. Këta dy faktorë ulin rezistencën dhe dobësojnë sistemin imunitar.
Përveç shkaqeve natyrore që ndikojnë drejtpërsëdrejti në shfaqjen e sëmundjeve pneumonare, siç janë përdorimi i duhanit dhe niveli i lartë i ndotjes, mund të preken nga këto sëmundje kryesisht edhe ata pacientë, të cilët e kanë sëmundjen të trashëguar nga prindërit e tyre. Në këtë rast sëmundjet e mushkërive (të bronkiteve) quhen të hershme dhe është më e vështirë për t’i diagnostikuar.
E njohur ndryshe në gjuhën popullore si ftohja, bronkopneumonia shoqërohet me kollë të fortë, bllokim të mushkërive deri në rrugët e frymëmarrjes dhe në ndonjë rast me bllokim të kordave zanore. Në disa raste, konsiderohet nga pacientët si një sëmundje jo fort e rrezikshme, por ajo çon deri në marrjen e jetës.
Pneumotoraksi
Dhimbje të mprehta të gjoksit dhe të shpatullës. Bllokim i frymëmarrjes dhe kollë e thatë. Këto janë disa nga shenjat e një nga sëmundjeve më të rënda të mushkërive, që në gjuhën mjekësore njihet si pneumotoraksi.
Kjo sëmundje shkakton bllokim të mushkërive dhe pamundësi për tu furnizuar me oksigjen. Kjo si pasojë e çarjes së shtresës që mbështjell mushkëritë dhe brenda saj depërton ajri.
Pneumotoraksi nuk është një sëmundje që prek vetëm organet e frymëmarrjes. Shenjat që shfaq janë krejt të befasishme dhe shoqërohen me bllokim të frymëmarrjes, por kjo nuk është më e keqja e mundshme.
Ajri që futet në mushkëri rrezikon të shkaktojë spostim të zemrës, gjë që mund të sjellë dhe pasoja ekstreme si vdekja. Prandaj raste të tilla konsiderohen si emergjente, ndaj të prekurit nga kjo sëmundje duhet të drejtohen menjëherë në urgjencë për të marrë ndihmën e specializuar të mjekëve.
Ekzistojnë dy forma të kësaj sëmundjeje: pneumotoraksi spontan dhe traumatik. Pneumotoraksi spontan paraqitet më së shumti tek moshat e reja, tek personat nën 40 vjeç. Sipas studimeve, rreth 70% e rasteve të konstatuara me këtë sëmundje janë duhanpirës.
Nga kjo sëmundje preken njësoj si meshkujt dhe femrat dhe shkaktarë të saj mund të jenë sëmundje si patologjitë vaskulare, astma, tuberkulozi apo fibroza cistike.
Top Channel