
Edhe një tjetër shpërthim në veri të Mitrovicës brenda pak pak orësh.
Shpërthimi i dytë gjatë ditës së sotme në Mitrovicë është regjistruar
rreth orës 14:40 minuta, në rrugën “Xhon Kenedi” prapa një ndërtese në
riparim e sipër, përkatësisht përballë shkollës fillore “Branko
Radiqeviq” në veri të Mitrovicës, ndërsa dëme të vogla materiale janë
regjistruar në një automjet tip “Golf” të parkuar afër vendit të
shpërthimit.
Nuk është raportuar për persona të lënduar njofton policia e Mitrovicës.Në bazë të raporteve të para policore të siguruara nga hetuesit policor mësohet se mjeti shpërthyes mund të jetë një granatë dore, e ngjashme me atë të rastit të parë të shpërthimit.Ekspertët e njësisë për trajtim të mjeteve të improvizuara eksploduese të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, në rastin e parë të shpërthimit të sotëm, kanë konstatuar se mjeti shpërthyes, është një granatë dore, tip “M-52” prodhim jugosllav.
Policia është duke zhvilluar hetimet intensive për të zbuluar shkaqet dhe autorët e këtyre dy akteve kriminale të cilat nuk përjashtohen nga mundësia e ndërlidhjes në mes tyre ndërsa dyshohet se rasti mund të ketë qenë i nxitur mbi motive kriminale, të cilat dyshohet të jenë të motivuara rreth çështjes së përfitimit të tenderëve të personave si kontraktues për riparimin e ndërtesave në veri të Mitrovicës.
Ndërkohë një shpërthim i fuqishëm është verifikuar paraditen e së enjtes në veri
të Mitrovicës, për fat të mirë pa shkaktuar dëme në njerëz.
Lajmin e bën të ditur “Radio Kosova”, sipas të cilës shpërthimi është regjistruar rreth orës 11:00 dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti ka deklaruar se shpërthimi ka ndodhur pranë filialit të bankës “Pro Credit Bank”, por ka saktësuar se ky institucion nuk ka qenë objektivi i atentatit.
Ndërkohë, banorët serbë në veri e kaluan natën duke mbajtur të bllokuara punimet për ndërtimin e pikave ku do të menaxhohen kufijtë me Serbinë.
Sipas raportimeve të gazetës “Koha”, serbët thanë se ata nuk do të largohen që andej pa marrë garanci me shkrim nga Beogradi se nuk do të ketë kufi me Kosovën dhe se ata do të mund të përdorin dokumente serbe.
Nata ka kaluar e qetë, nën mbikëqyrjen e ushtarëve amerikanë dhe gjermanë të KFOR-it, të cilët vazhdojnë të ushtrojnë kontrolle ndaj qytetarëve.
Mitrovicë, dy shpërthime brenda pak orësh
Top Channel