Pas pezullimit të shërbimeve për pasaporta biometrike për Kosovën nga ana e kompanisë austriake OeSD, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi ka folur për këtë çështje. Ai ka thënë se nuk ka asnjë problem në lidhje me proçesin e pajisjes së qytetarëve të Kosovës me pasaporta biometrike.

Të martën u njoftua se kompania austriake OeSD ka pezulluar shërbimet e veta për Kosovën për shkak të vonesave në pagesa nga ana e Republikës së Kosovës.

Vendimi i kompanisë austriake ka ardhur disa ditë pas arrestimit të shtetases gjermano-boshnjake, Natalie Veliaj, e cila është arrestuar nga EULEX nën dyshimin se pasi i ka marrë paratë nuk i ka përcjellë ato te kompania të cilën përfaqëson. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi thotë se duhet gjetur një gjuhë e përbashkët që të vazhdohet kontrata.

“Ne kemi një kontigjent për prodhimin e pasaportave për qytetarët. Nuk ka ndonjë krizë momentale për furnizim me pasaporta, por sigurisht që është interes edhe i vetë kompanisë që të vazhdohet kjo kontratë, sepse ne i kemi mjetet edhe për pjesën tjetër sipas dinamikës dhe sigurisht që duhet ta gjejmë një gjuhë të përbashkët që të vazhdojmë kontratën, ndërsa për pjesën tjetër është kontest gjyqësor dhe jemi të gatshëm të presim vendimin e gjyqësorit”, ka thënë Rexhepi.

Sa i përket çështjes së 1.4 milionë eurove, të cilat nuk kanë shkuar në llogari të kompanisë austriake, Rexhepi thotë se ashtu si do të vendosë gjykata ashtu edhe do të veprohet, dhe ato para do të kthehen në buxhetin e Kosovës ose do t’i paguhen drejt kompanisë nga kushdo që i ka marrë.

“Ne ato para i kemi paguar, tani çështja është në kontest gjyqësor, është në hetuesi. Ne do të kemi kontakte edhe me ambasadorin edhe me përfaqësuesit e kompanisë dhe duhet të vazhdojmë kontratën që të mos ketë probleme. Ndërsa pjesa e 1.4 milionë eurove duhet të jetë kontest gjyqësor. Ashtu si vendos gjykata, ashtu edhe do të veprohet dhe ato mjete duhet të kthehen nga kushdo që i ka marrë. T’i kthehen buxhetit të Kosovës, ose t’i paguhen kompanisë”, ka thënë Rexhepi.

Sidoqoftë, shtetases gjermano-boshnjake Natalie Veliajt i është shqiptuar nga gjykata e qarkut në Prishtinë masa e paraburgimit dhe dy shtatasve nga Kosova masa e arrestit prej 30 ditësh. Veliajt i është refuzuar kërkesa për t’u bërë dëshmitare, bashkëpunuese dhe e mborjtur.

Në një rast të tillë e akuzuara për përvetësimin e 1.4 milionë eurove ka thënë se do të nxirrte emrat e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të përfshirë sipas saj në këtë skandal.

Top Channel