Në Kuvendin e Kosovës është trajtuar të enjten rasti i përgjimeve
telefonike, me deputetët e opozitës që kanë kritikuar ashpër partinë në
pushtet PDK.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se, çështja në fjalë nuk mund të trajtohet nga aspekti i privatësisë, pasi në këtë rast nuk ka një shkelje të saj.

“Unë nuk mendoj se është shkelur privatësia, sepse me sa kam parë dhe dëgjuar, aty nuk flitet për diçka private. Mendoj se ne të gjithë jemi persona publikë dhe në momentin kur jemi të tillë mbajmë përgjegjësi për ato që themi, përderisa nuk bëhet fjalë për gjera strikt familjare”, ka thënë Gashi.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka kritikuar ashpër kryetarin e grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, i cili sipas tij, pas atyre që tha në telefonatë, nuk mund të ulet më në sallën e Kuvendit.

“Tani po e kuptojmë përse nuk kemi arsim cilësor, sepse njerëzit që organizojnë arsimin në Kosovë janë të paedukatë. Tani po e kuptojmë përse kemi shëndetësi të mjeruar, sepse kemi udhëheqës të sëmurë për pushtet. Keta njerëz nuk meritojnë të vendosin asgjë për popullin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë më tej se zyrtarët e qeverisë dhe të PDK-së, ditën flasin për opozitën dhe për kryeparlamentarin, duke i quajtur simbole të demokracisë, ndërsa natën i shajnë.

përgjimet e publikuara pak ditë më parë kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i grupit të PDK-së Adem Grabovci dhe zyrtarë të tjerë përdornin fjalë fyese ndaj kryetarit të Parlamentit Jakup Krasniqi.

Nga ana e tij, Krasniqi kërkoi që Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij të kërkojnë fajle, ndërkohë që qeveria përshpejtoi miratimin e ligjit për përgjimet, për të cilin po has pengesën e misionit EULEX.

Top Channel