John McAfee arrestohet në Guatemalë

06/12/2012 00:00

John McAfee, themeluesi i software-it anti-virus McAfee, është arrestuar në Guatemalë nën akuzën e hyrjes ilegale në këtë vend.

Ai kaloi kufirin për të kërkuar azil politik, pasi ishte arratisur nga Belize, ku policia po heton vdekjen e një fiqnji të tij.

Autoritetet në Belize deklarojnë se pionieri i anti-virusit ishte një “person me interes” në vrasjen e biznesmenit nga Florida Gregory Faull, më 11 nëntor. Zoti McAfee ka protestuar duke pretenduar pafajësinë e tij.

Ai thotë në blogun e tij se është sulmuar nga policia dhe kjo ishte arsyeja përse u arratis. Për momentin ndaj super-milionerit nuk ka një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Ministri i Brendshëm i Guatemalës, Mauricio Lopez Bonilla deklaroi se zoti McAfee u arrestua në një hotel në një zonë të populluar të kryeqytetit, Guatemala City.

Kur u shfaq në publik për herë të parë ditën e martë, zoti McAfee dhe avokati i tij thanë se ai do t’i kërkonte qeverisë guatemalase që të qëndronte aty.

“Belize nuk ka një reputacion të mirë për garantimin e sigurisë kur kërkojnë të të marrin në pyetje. Ndihem shumë më i sigurt po të kaloj kufirin”, deklaroi ai.

67-vjeçari bëri të ditur se, në mënyrë që të kalonte pa u vënë re, kishte ndryshuar paraqitjen e tij duke prerë flokët, duke hequr mjekrën, duke ngjitur çamçakëz të përtypur në fytyrë dhe duke errësuar ngjyrën e dhëmbëve.

Gregory Faull u gjet i vdekur me plumb në kokë më 11 nëntor në shtëpinë e tij në Belize, që ndodhet ngjitur me shtëpinë e zotit McAfee, në një ishull tropikal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA