Filipine, mbi 300 të vdekur nga tajfuni

06/12/2012 00:00

Mbi 300 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë konsiderohen të humbur si pasojë e tajfunit Bopha, i cili shkatërroi ishujt në jug të Filipineve.

Zyra e Mbrojtjes Civile deklaroi se të paktën 325 persona konfirmohen të vdekur ndërsa 379 të tjerë janë shpallur të humbur.

Personat e vrarë janë nga tetë provinca, por ajo lindore e Mindanaos është më e prekura nga fenomeni natyror.

Vetëm në provincën Lugina Kompostela numërohen të paktën 184 persona të vdekur, shumica e të cilëve humbën jetën kur përmbytjet përfshinë çadrat e emergjencës.

“Kemi 325 të vdekur dhe kjo shifër ka të ngjarë të rritet pasi shumë persona të tjerë janë zhdukur”, deklaroi shefi i Zyrës së Mbrojtjes Civile, Benito Ramos në një konferencë për shtyp.

“Atje komunikimet janë ndërprerë, nuk ka elektricitet, ndërkohë që rrugët dhe urat janë shkatërruar. Ndërkohë, ne po vazhdojmë ende operacionet e kërkim-shpëtimit”, shtoi Ramos.

Stuhia goditi ishujt Mindanao të martën, duke sjellë shira të dendura dhe erëra të forta, të cilat shkulën çatitë e shtëpive dhe shkaktuan rrëshqitje toke.

Dhjetëra mijëra persona u transferuan në streha të ngritura që para tajfunit, por në një qytet në Luginën Kompostela edhe strehat u rrëmbyen nga përmbytjet e dhunshme.

“Sipas të mbijetuarve, në male ndodhet një liqen i vogël që u tejmbush dhe ujërat rrodhën poshtë, njësoj si një ujëvarë, duke vërshuar e mbuluar qytetin”, deklaroi sekretari i Brendshëm, Mar Roxas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA