Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, deklaroi se nëse qeveria siriane përdor armët kimike kundër popullit, do të shkelë vijën e kuqe të Shteteve të Bashkuara dhe do të ketë pasoja.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka bërë shumë të qartë se do të ketë pasoja, shumë pasoja nëse regjimi i Assad bën një gabim të tmerrshëm, duke përdorur armë kimike ndaj popullit të tij. Nuk dua të spekuloj apo të komentoj se cilat do të jenë pasojat, por mendoj se mjafton të thuash se përdorimi i këtyre armëve do të tejkalojë vijën e kuqe për ne”, tha Paneta.
Paneta iu referua shqetësimit të shtuar të shërbimeve sekrete, pa dhënë shpjegime të hollësishme për informacionet, për përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga presidenti sirian, Bashar al-Assad. Disa vende perëndimore paralajmëruan presidentin dhe qeverinë siriane të mos përdorë armët kimike, duke iu referuar të dhënave të mbledhura nga shërbimet sekrete.
Në terren, disa lagje të Damaskut – Meze, Kadam, Barze dhe Tadamon – po bombardohen. Është e gjithë zona jugore e kryeqytetit sirian. Përmes një video, të publikuar në internet nga Ushtria e Lirë siriane, shihet një kazermë ushtarake, ndoshta ajo e Shaba-s, e shkatërruar nga përleshjet e armatosura.
Siç raporton grupi i aktivistëve “Komitetet për Koordinimin Lokal”, në Deir Al Zour, 450 km në lindje të Damaskut, lagjia Marijeh është në shënjestër të bombave me fosfor të bardhë.
Kjo i shtohet një tjetër dëshmie për bombat e mbushura me gaz nervin. Por, zv-ministri i Jashtëm sirian, Faisal al Mokdad, i quan “konspiracion”, që do të krijojë terrenin për një ndërhyrje ushtarake.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raporton për 40 viktima civile, ndërsa numri i të vrarëve prej nisjes së konfliktit është 42 mijë.
Nga pikëpamja diplomatike, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ndodhet në Dublin, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe të dërguarin special të OKB-së e Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi.
Takimi Clinton-Lavrov, siç u pohua fillimisht nga burime ruse e më pas amerikane, duhet të interpretohet si shenjë e dobësimit të mbështetjes së Moskës për Bashar al-Assad. Qëllimi i Clinton është të sigurojë mbështetje për një mandat më të fortë të OKB-së, që do të ushtrojë presion kundër Damaskut.
Top Channel